Komuna e Shtimes - Foto: KALLXO.com

Detajet e para për të prekurin nga Shtimja me coronavirus, kishte kontakte me një të afërm nga Gjermania

Dy rastet e fundit të konfirmuara nga Instituti Kombëtar i Shënedëtsisë Publike janë nga Prishtina dhe Petrova e Shtimes.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajli i cili tregoi se i prekuri me coronavirus jeton në Ferizaj por ka një pushimore në fshatin Petrovë ku edhe ishte duke qëndruar tash e disa ditë.

I prekuri, sipas kryetarit Ismajli, është 44 vjeçar dhe dyshimet janë se ai ka pasur kontakt me një të afërm të tij i ardhur nga Gjermania.

“Dyshimet i kemi pasur, ata janë shku dje pasdreke , baba bashk me një djalë, kanë dyshu se e kanë pas me një kontakt me një të afërm që ka jetu në Gjermani, por që ai (i afërmi) është kthy në atë kohë mirëpo këta kanë pas dyshimet e veta që simptomet janë paraqitur, menjëherë pas simptomave janë paraqitur në QKMF dhe më pas në bazë të simptomeve janë udhëzuar për Institut dhe në këtë rast ne kemi qenë vetëm duke i pritur nga mesnata se si po dalin rezultatet , tash prindi ka rezultu pozitiv ndërsa djali i tij negativ”, tha kryetari Ismajli për KALLXO.com.

Ai shtoi se janë duke shikuar historikun e kontakteve të 44 vjeçarit nga Shtimja me persona të tjerë.

“Këta jetojnë në Ferizaj por në këtë kohën e fundit kanë qenë te shtëpia verore në Petrovë të Shtimes. Ne tash jemi duke i hulumtu se me kë kanë pasur kontakt, deklaratat e para i kanë dhënë menjëherë kur kanë fillu me bo ekzaminimin mjekët, pyetjet e para kanë qenë sa keni qenë të izoluar dhe kah keni lëvizur, deklarimet e tyre kanë qenë që përveç që e kanë parë atë personin nga Gjermania më duket qe 10 ditë përpara dhe i cili është kthy në Gjermani prapë, nuk kanë pasur lëvizje tjetër jashtë familjes, e tash ne jemi duke mbledhur informacione tjera rrethanore, duhet me i verifiku të dhëna nëse përputhen, se këta i kanë pasur edhe kushte e mira mos me lëvizë, se është i izoluar edhe lokacioni, në periferi të fshatit, atëherë është shumë më mirë. Këto janë informacionet e para”, tha tutje kryetari Ismajli.

Numri i të prekurve me coronavirus në Kosovë deri më tani ka arritur në 35.