foto: Ilustrim

Detaje nga vrasja në tentativë në Gjakovë: Viktimën e goditën me veturë e pastaj me shufra hekuri

Një vrasje në tentativë ka ndodhur të premten në mbrëmje në fshatin Bec të Gjakovës.

Dy persona të dyshuar janë arrestuar lidhur me këtë rast të rëndë.

Gjykata e Gjakovës ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për një muaj paraburgim për të dyshuarit H.B. dhe F.B.

Në kërkesën për paraburgim Prokuroria ka dhënë detaje rreth rastit.

Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur të premten rreth orës 19:20. Në këtë rast, dy të dyshuarit kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin I.A.

Shkaktar i rastit Prokuroria dyshon se janë disa mosmarrëveshjeje në të kaluarën.

“Ditën kritike të pandehurit furishëm e godasin me veturë të dëmtuarin I. A., pastaj nga ajo veturë kishin dalë dy të dyshuarit të cilët e kishin goditë me shufra metali dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Prokuroria.

Me këto veprime të pandehurit H. B. dhe F. B. dyshohen të kenë kryer veprën penale – vrasja e ngelur në tentativë.

As Gjykata as Prokuroria nuk kanë dhënë detaje për gjendjen e të dëmtuarit.