Zyrtari i Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut Foto: Naser Fejza/ KALLXO.com

Detaje nga kontrolli i depos me produkte medicinale në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës sot ka pranuar informacione se në një depo apo magazinë në afërsi të stacionit të autobusëve në Mitrovicë të Veriut mund të ketë mall të kontrabanduar.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin Mitrovicë-Veri, Veton Elshani, ka thënë se me të pranuar informatën menjëherë kanë reaguar.

Në depo ai tha se kanë gjetur produkte medicinale origjina e të cilave nuk dihej.

“Kemi thirrur Doganën dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale, ndërsa, në ndërkohë, kemi kuptuar se kjo depo mund të kishte produkte medicinale brenda e që menaxhohen nga Spitali rajonal i Mitrovicës së Veriut” – tha zëvendësdrejtori Elshani.

Tutje ai tha se së bashku me personelin e Spitalit janë në proces të verifikimit të kësaj depoje.

“Pas verifikimit të kësaj depoje del se nuk ka punë për Doganë, malli është i regjistruar” – tha Elshani.

Ai shtoi se në depo ka mall që duhet të shkatërrohet dhe tash AKPPM në bashkëpunim me Spitalin rajonal të Mitrovicës së Veriut vendosin se çfarë do të bëhet.