Detaje nga arrestimi i 5 personave në veri, dyshohet për kontrabandim të mallrave nga Serbia

Pesë persona, në mesin e tyre edhe i shumëkërkuari nga ana e Policisë së Kosovës, Besim Zeqiri “Kaça”, mbetën mbrëmë të arrestuar në veri.

Sipas një njoftimi zyrtar policor, pesë të arrestuarit po dyshohen për kontrabandë me mallra dhe sulm ndaj personit zyrtar.

Policia ka treguar se nga e gjithë ngjarja që ndodhi në mëngjesin e hershëm, ku u përdorën edhe armë zjarri, një person i dyshuari arriti që t’i shmanget arrestimit dhe të largohet në drejtim të panjohur.

Gjithçka filloi rreth orës 03:20, ku bazuar edhe në informata që ka poseduar Policia, zyrtarët policor kanë reaguar në fshatin Kovaç (Farkëtarët) ndaj rastit në fjalë.

Policët, sipas njoftimit paraprak të zëdhënësit të PK-së, Veton Elshani kishin tentuar të ndalon personat e dyshuar që ishin duke lëvizur me vetura dhe një kombi.

Sipas Policisë, për të vënë situatën nën kontroll dhe për të evituar sulmin e mëtejmë dhe për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm ndaj zyrtarëve policorë, janë përdorur edhe pajisjet zyrtare konkretisht armët e zjarrit nga zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast.

Në njoftim është thënë se në këtë operacion, janë sekuestruar katër vetura të cilat kanë qenë të përfshira në rastin konkret ku një njërën prej tyre është hasur një sasi e cigareve të cilat dyshohet se ishin duke u kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Serbia.

Policia ka njoftuar se në vend ngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante dhe se rasti është duke u trajtuar nga hetuesit e Drejtorisë Rajonale Veriu, në koordinim me organet tjera kompetente.

Fshati ku ndodhi e gjithë ngjarja është zonë e përgjegjësisë e Stacionit Policor Kufitar-Jasenovik.