Dështon seanca ndaj gjashtë të akuzuarve për shmangie nga tatimet dhe shpëlarje parash

Gjykimi ndaj Ramadan dhe Muharrem Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi, Flamur Mavraj dhe Rexhë Kastrati, të cilët akuzohen për veprat penale, pastrimi i parave dhe shmangie nga tatimi, ka dështuar të mbahet në mungesë të njërit nga avokatët.

Sipas prokurorisë të njëjtit duke blerë ngastra kadastrale, buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë të përgjithshme rreth 457,517.40 euro.

Kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, deklaroi se mbrojtësi i të akuzuarit Xhelal Kastrati, avokati Taulant Rrecaj, gjykatën e kishte njoftuar se nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme, me arsyetimin se është duke qëndruar në vetë izolim.

Meqenëse mbrojtja në këtë raste është obligative, trupi gjykues mori vendim dhe seancën e radhës e caktoi për datë 7 dhe 8 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Ramadan dhe Muharrem Mavraj, akuzohen se nga viti 2010 e deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “kthim borxhi i deponimeve të viteve të mëhershme”.

Në aktakuzë thuhet se ata kanë pranuar dhe transferuar mjete pa mbulesë, me të cilat kanë blerë prona pa mbulesë financiare. Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “pastrim i parave”.

Sipas aktakuzës Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, që nga viti 2010 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi, me dashje dhe në bashkëveprim me njëri-tjetrin, pasurinë e fituar me aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit të pasurisë kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme, në llogari individuale, kanë pranuar dhe transferuar mjete monetare me përshkrimin “huazim ose kthim huazimi”.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Ramadan Mavraj, nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të biznesit individual “ALBES”, me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 63,700.20 euro.

Me këto veprime ata akuzohen se kanë kryer edhe veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Ndërsa, Muharrem Mavraj akuzohet se nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, në cilësinë e pronarit të biznesit individual “ALBES”, me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 334,856.40 euro.

Sipas aktakuzës, Flamur Mavraj akuzohet se nga viti 2010 deri në vitin 2017 në vazhdimësi, duke qenë i punësuar në biznesin individual “ALBES”, me qëllim të shmangies nga tatimi, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, nuk ka deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i ka përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tij, ashtu qe ka dhënë informata jo të sakta nga veprimtaria e vet afariste, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 3,333.60 euro.

Kurse Xhelal Kastrati akuzohet se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesën e tij pronësore prej 10%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 2,223.60 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Valdet Muriqi, akuzohet se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.00 euro, pjesën e tij pronësore prej 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi, nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 28,893.60 euro.

Ndërkaq Rexhë Kastrati akuzohet se në cilësinë e shitësit të pronës së paluajtshme në vlerë prej 1,500.000 euro, pjesën e tij pronësore 45%, me qëllim të shmangies nga tatimi nuk e ka deklaruar këtë transaksion, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës 26,733.60 euro.