Dështon mbledhja e Komisionit Hetimor për rezervat shtetërore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore, e mbajtur më 28.02.2024.

Deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje janë deklaruar se nuk do të marrin pjesë dhe kanë kërkuar që të thërritet një mbledhje tjetër, ndërkaq dy ligjvënës të LVV-së, Halil Thaqi dhe Salih Zyba janë larguar në fillim të mbledhjes.

“A mundesh me thirrë mbledhje tjeter, se kshtu nuk po mundemi me vazhdu. Po e propozoj që kjo mbledhje të mbyllet dhe për tjetrën duhet t’i marrim konfirmimet”- ka deklaruar Shqipe Metaj- Isufi nga LVV-ja.

Kurse kryetari i komisionit dhe deputeti i Paritsë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha se ka vërejtur hezitim nga pjesëtarët e LVV-së që të jenë prezentë në mbledhjet e komisionit hetimor.

“Kur të duash mos me shku në punë të komisionit, gjithëfarë arsyetime tjera. E kemi vërejtur, ka hezitim të deputetëve të juaj. Nëse konsideroni që ky nuk duhet me vazhdu unë e qes në votim rendin e ditës”- tha Qalaj.

Kurse, Driton Hyseni nga LVV-ja, u shpreh se kanë pasur hezitim pasi sipas tij po trajtohet e njëjta materie si në komison, por edhe nga Prokuroria e Shtetit.

“Në këndvështrimin tim mendoj që nuk keni të drejtë për arsye se ju pretendoni të bëni një hetim sipas logjikës që e keni programua. Hezitimin e parë e kemi pasur të fakti se si komision hetimor duhet të trajtojmë një materie që është e njëjtë me atë që po hetohet nga Prokuroria. Nuk po ju pengojnë deputetët e opozitës ata po të pengojnë në bërjen e mbledhjes sipas tekeve tua, je këtu për me bë punën si kryetar. Jemi këtu për me dhënë kontributin tonë por konform normativave ligjore”- theksoi Hyseni.

Më pas, kryetari Rashit Qalaj konstatoi se mbledhja nuk e ka kuorumin e mjaftueshëm për të vazhduar punimet më tej.

Në përpjekjen e tetë, më 30.11.2023, ishte konstituuar Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore. Formimi i komisionit erdhi pas raportimeve në media për keqpërdorimet me rezervat shtetërore.

Dy anëtarët nga LVV-ja lëshojnë mbledhjen e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore