Dështoi të mbahet seanca në kontestin mes Universitetit të Prishtinës dhe Kishës Ortodokse

Seanca për kontestin pronësor në mes të Universitetit të Prishtinës dhe kishës ortodokse “Sveti Sava”, e ndërtuar në kampusin e UP-së,  sot ka dështuar të mbahet.

Këtë e konfirmoi për KALLXO.com avokati i përgjithshëm shtetëror Sami Istrefi.

Më 26 gusht Gjykata e Prishtinës hodhi poshtë padinë e Universitetit të Prishtinës kundër Komunës së Prishtinës lidhur me parcelën ku ndodhet kisha “Sveti Sava”.

Komuna e Prishtinës nuk mund të jetë palë procedurale pasi e njëjta nuk mund të disponojë me parcelën në të cilën ndodhet kisha, thuhet në vendimin e Gjykatës.

UP-ja me padi kishte kërkuar nga Komuna e Prishtinës dhe Dioqeza e Rashkës dhe Kishës Ortodokse në Prizren që t’ia kthejë në shfrytëzim të lirë dhe të papengueshëm ngastrën kadastrale në sipërfaqe prej 4.27.16 hektarë dhe që në operatin kadastral ta ndryshojë bartësin e së drejtës.

Istrefi në përgjigje për KALLXO.com tha se seanca e sotme nuk mund të mbahej për shkak se për ankesën ndaj vendimit të shkallës së parë për hedhjen e padisë ende nuk kishte vendosur Gjykata e Apelit.

Sipas Istrefit në fillim të kësaj seance si çështje kryesore ishte ngritur përjashtimi i tij nga përfaqësimi i UP-së pasi që i njejëti ka statutin dhe përfaqësuesin e vet dhe avokati i përgjithshëm shtetëror mund ta përfaqsojë UP-në vetëm në rastin kur është palë e paditur e jo edhe palë paditëse.

“Si çështje kryesore e ngrit të drejtën e Avokatit të Shtetit për të përfaqësuar Universitetin e Prishtinës, duke e arsyetuar se Universiteti ka statutin dhe përfaqësuesin e vet, e aq më tepër insiston  në përjashtim të Avokaturës Shtetërore nga lënda duke arsyetuar faktin se në këtë rast Avokati Shtetëror  përfaqëson Universitetin si palë paditëse, ku sipas të cilit Avokatura Shtetërore ka të drejtë të përfaqësojë vetëm në rast se Universiteti do të ishte palë e paditur”, ka thënë Istrefi.

Tutje Istrefi në seancë kishte deklaruar mbi bazën ligjore mbi të cilën vepron Avokatura Shtetërore, ku me theks të posaçëm kishte  shpjeguar legjitimitetin e AVSh-së në këtë procedurë duke  kërkuar nga gjykata të veprojë sipas kërkesës së AVSh-së e jo sipas bindjes së gjyqtarit, pasi që një bindje e tillë nuk është e bazuar dhe arsyetuar në ligjet konform të cilave vepron AVSh”, shpjegoi Istrefi për KALLXO.com.

E në rrethana të tilla gjykatësi i çështjes kishte marrë vendim që seanca e sotme nuk mund të zhvillohet dhe e njejëta u shty në kohë të pacaktuar.

Universiteti i Prishtinës ka paditur Kishën Ortodokse për parcelën e tokës në kampusin e Universitetit ku aktualisht gjendet kisha “Sveti Sava” dhe për gati një dekadë nuk ka marrë epilog përfundimtar gjyqësor.

Kisha e papërfunduar, e cila u ndërtua në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitet 1990, u bë shkas i disa protestave dhe pakënaqësive, kryesisht nga studentët e Universitetit të Prishtinës.

Ky rast fillimisht është paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës në vitin 2012 nga Universiteti i Prishtinës nën pretendimin se Kisha Ortodokse Serbe kishte uzurpuar pronën e Universitetit.

Më tej, tek në vitin 2015, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte nxjerrë vendim me të cilin ishte konsideruar e tërhequr padia e parashtruar nga Universiteti me arsyetimin se nuk ishin paraqitur si paditës në seancën kryesore të ftuar nga Gjykata.

Të pakënaqur ndaj këtij vendimi me arsyetimin se nuk e kishin pranuar ftesën e Gjykatës sepse ditën kur ka arritur ftesa ka pasur protesta para Rektoratit, Universiteti ushtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila po ashtu në tetor të vitit 2017 e refuzoi ankesën dhe vërtetoi vendimin e Themelores. Kështu, Universiteti i Prishtinës në nëntor të vitit 2017, dorëzoi përsëri në Gjykatën Themelore të Prishtinës padinë e re lidhur me çështjen e njëjtë juridike –  ngastrën kadastrale nr.07090-14 në sipërfaqe të përgjithshme mbi 4-hektarëshe.

Universiteti i Prishtinës pretendon se këtë pronë e ka pasur në shfrytëzim të lirë dhe të papenguar nga dhjetori i vitit 1975 dhe se e njëjta ka qenë pjesë kampusit të Universitetit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me rrjedhën e këtij gjykimi ndërsa seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 1 mars të këtij viti mirëpo kishte dështuar të mbahej për shkak se Gjykata nuk u kishte dërguar me kohë ftesat palëve.