Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit: Nuk ka pasur komunikim mes murgjve dhe personave të armatosur në Banjskë

Manastiri i Banjskës ishte pika kryesore që u shfrytëzua nga grupi terrorist për t’u strehuar pasi sulmuan Policinë e Kosovës mëngjesin e së dielës, me ç’rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe një polic tjetër u plagos e një u lëndua.

Disa orë pas sulmit, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe përmes një komunikate dënoi ashpër sulmin dhe dhunën flagrante që po ndodhte në hapësirat e objektit fetar dhe u kërkoi të gjitha palëve që menjëherë të ndërpresin armiqësitë.

Nga Dioqeza e Rashkës dhePrizrenit kanë thënë se për ngjarjet e 24 shtatorit ishin informuar nga igumeni i manastirit, At Danilo, i cili bashkë me pelegrinët ndodheshin në manastir për liturgji pasi ishte ditë e diel.

“Më pas atyre iu tha të strehoheshin dhe të mbylleshin në rezidencën e manastirit dhe të merrnin të gjitha masat për të mbrojtur jetën e murgjve dhe adhuruesve në manastir”- thanë nga Dioqeza për KALLXO.com.

Dioqeza thotë se murgjit nuk e kishin thirrur Policinë e Kosovës pasi, sipas tyre, një konflikt i armatosur rreth manastirit tashmë ishte duke u zhvilluar.

Ata thonë se ishin në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe EULEX-in dhe se KFOR-i po monitoronte drejtpërdrejt zhvillimin e ngjarjeve nga një dron që vazhdimisht regjistronte ngjarjet brenda dhe përreth manastirit.

Nga Dioqeza shprehen se murgjit u këshilluan që të mos bënin asnjë bisedë dhe negociata të pavarura [me sulmuesit], por u detyruan të informonin Dioqezën, e cila ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe institucionet kompetente.

“Pas përfundimit të konfliktit të armatosur, igumeni Danilo siç thuhet në deklaratën e dioqezanit, ia ka treguar Policisë së Kosovës dhe EULEX-it të gjitha dhomat e manastirit, të cilat gjatë gjithë kohës ishin nën kontrollin e abatit dhe vëllazërisë”- thuhet në përgjigjen për KALLXO.com nga Dioqeza.

“Nuk ka pasur komunikim mes murgjve dhe personave të armatosur siç jemi në dijeni, pasi besimtarët dhe murgjit ishin strehuar dhe ishin mbyllur në rezidencën e manastirit” – theksojnë nga Dioqeza.

Sipas Dioqezës, ati Danilo ua ka treguar kishën dhe të gjitha dhomat e manastirit ku banojnë murgjit përfaqësuesve të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe në ato lokale nuk është gjetur asnjë armë.

“Më pas mësuam se personat e armatosur që kaluan nëpër manastir ndërsa po tërhiqeshin drejt pyllit, hodhën pushkët dhe një pjesë të pajisjeve në oborrin e manastirit”- nënvizojnë nga Dioqeza.

Murgjit e manastirit të Banjskës, siç thotë Dioqeza, i kanë mundësuar Policisë së Kosovës dhe EULEX-it që të bëjnë një inspektim pas konfliktit të armatosur, përderisa Policia e Kosovës ka bërë edhe identifikimin e besimtarëve të cilët ndodheshin në manastir dhe pas inspektimit lejoi daljen e tyre nga territori i Kosovës përmes vendkalimit kufitar Jarinjë.

Më tej, në bisedë më KALLXO.com nga Dioqeza tregojnë se situata aktualisht aty është e qetë dhe murgjit vazhdojnë jetën e tyre të përditshme monastike dhe shërbesat e tyre.

“Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije ka vizituar të hënën pasdite manastirin e Banjskës, pas inspektimit të EULEX-it dhe Policisë. Situata aktualisht është e qetë dhe murgjit vazhdojnë jetën e tyre të përditshme monastike dhe shërbesat e adhurimit”- thekson Dioqeza.

Në anën tjetër, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u zotuan se do të sanojnë dëmet e shkaktuara në manastirin e Banjskës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se manastiri ortodoks në Banjskë, monument i trashëgemisë kulturore, i mbrojtur me ligje të Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist.

“Sulmi terrorist i sponzorizuar nga shteti i Serbisë përveç që ia mori jetën një polici të devotshëm të Kosovës kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm, atë të përdorimit të një aseti të trashëgemisë kulturore dhe fetare për qëllime kriminale. Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgemisë kulturore i mbrojtur me ligje të Kosovës u përdor si strehë nga grupi terrorist përfshirë armatimin e tyre”- deklaroi ai.

Ministri tha se nga ajo se çfarë kanë parë, terroristët kanë shkaktuar dëme në strukturën fizike të manastirit, teksa shtoi se dikasteri që ai drejton ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës, sapo të krijohen kushtet e nevojshme për sanim.

“Nga ajo se çfarë kemi parë terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri, besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi po edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare e kundëretnike në Kosovë”- u shpreh Çeku.

“Ministria e Kulturës tashmë ka kodin buxhetor dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje sanuese edhe në manastirin e Banjskës. Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj, do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ndërhyrje profesionale me qëllim sanimin e dëmeve në strukturën fizike të këtij manastiri”- shtoi ai.

Çeku theksoi se gatishmëria dhe vullneti i Qeverisë do vazhdojnë të jenë në nivel të lartë në mbrojtjen e trashëgimive kulturore e cila në rastin e objekteve të kultit, siç tha ai “duhet të ju shërbejë besimtarëve të fuqizojë harmoninë ndërfetare e ndëretnike dhe jo të përdoret për qëllime kriminale e destabilizuese për Kosovën”.

Në një kundërpërgjigje ndaj ministrit, Dioqeza në një deklaratë thotë se besojnë që “është thelbësore riparimi i dëmit dhe dioqeza jonë ka punuar për vite me ndihmën e bamirësve vendas dhe ndërkombëtarë për të restauruar dhe mbrojtur vendet tona të shenjta, duke përfshirë Manastirin e Banjskës, një trashëgimi e rëndësishme e Shën Mbretit Stefan Milutin nga shekulli i 14-të”.

Në reagim ata thonë se janë të zhgënjyer nga deklaratat e ministrit që, sipas Dioqezës, Çeku refuzon të njohë emrin e duhur të Kishës sonë dhe nuk e identifikoi atë si manastir të Kishës Ortodokse Serbe.

Në këtë link mund të lexoni reagimin e tyre të plotë.

Më 24 shtator 2023, rreth orës 3:00, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur nga një grup i personave të armatosur në Banjskë të Zveçanit.

Grupi i armatosur më pas ka hyrë në oborrin e manastirit të Banjskës në Zveçan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte thënë gjatë ditës se personat e armatosur janë rrethuar nga Policia tek manastiri i Banjskës në Zveçan, në afërsi të të cilit është vrarë edhe polici Afrim Bunjaku, në orët e para të së dielës më 24 shtator 2023, e janë lënduar dy të tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare, tre pjesëtarë të grupit sulmues janë vrarë nga ballafaqimi me armë zjarri me forcat e rendit të Kosovës dhe tre të tjerë janë arrestuar, të cilët tani gjenden në paraburgim.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi si vepër penale.