Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: UP-ja përzgjodhi operator ekonomik që nuk i plotësoi kriteret e parapara teknike

Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ gjatë vitit 2021 nuk ka bërë vlerësim të duhur të ofertave të ndryshme në procedurat e prokurimit, me ç’rast në një rast ka përzgjedhur një operator ekonomik që s’i ka plotësuar kriteret e parapara teknike.

Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin e kaluar.

ZKA ka thënë se tek dosja e tenderit për kontratën “Drenazhimi, Kanalizimi, Ujësjellësi në Filologjik, Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyrore-FSHMN ,Filozofik” Lot 1 në vlerë 1,734,655 euro”, në kuadër të kapaciteteve teknike dhe profesionale ishte kërkuar si kriter “polica e sigurimit nga kompanitë e licencuara të sigurimit që operojnë në Kosovë për vende punishte dhe palë të treta në vlerë 2,000,000 euro.

Por, operatori ekonomik fitues, nuk kishte dorëzuar Polisën e sigurimit (kontratën specifike të përgatitur dhe të lëshuar nga siguruesi, për të mbuluar një rrezik specifik ose një numër të veçantë të rreziqeve sipas kushteve të përcaktuara).

Sipas ZKA-së, operatori ekonomik ka dorëzuar vetëm një draft kontratë për aplikim të tenderit të lëshuar nga një kompani e sigurimit.

Auditori ka thënë se kjo kishte ndodhur për shkak se me rastin e vlerësimit të ofertave, komisioni i vlerësimit nuk kishte marrë parasysh kriteret e parapara me dosjen e tenderit.

Tutje ZKA thotë se përzgjedhja e operatorit, i cili nuk i plotëson kriteret e parapara teknike rrezikon arritjen e objektivave të parapara me projekt.

“Në raste dëmtimeve ndaj palëve të treta apo dëmtimeve material të pasurisë, mund të mos kompensohen dëmet e kompanisë dhe të rrezikohet përmbushja e kontratës nga ana e saj”, thuhet më tej në raport.

Auditori ka rekomanduar që rektori duhet të sigurojë se me rastin e vlerësimit të tenderëve, komisioni i vlerësimit të marrë për bazë vetëm operatorët ekonomik, të cilët plotësojnë të gjitha kriteret e vendosura me dosjen e tenderit në mënyrë që të arrihen objektivat e parapara të projektit përkatës.