ZKA: UP-ja as në vitin 2021 nuk i regjistroi të gjitha pronat si pasuri kapitale

Zyra Kombëtare e Auditimit edhe këtë vit ka gjetur dobësi në regjistrimin e pronave në regjistrin e pasurive kapitale nga ana e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Sipas ZKA-së, pasuria kapitale me vlerë mbi 1,000 € nuk është prezantuar nga UP në vlerën e plotë dhe të saktë, për faktin se regjistri i pasurive kapitale nuk ka përfshirë të gjitha pronat, që janë në shfrytëzim të UP-së.

Këto prona përfshijnë: Objekti dhe parcela e Rektoratit të UP-së, kompleksi Universitar (objektet e Bibliotekës Kombëtare, Fakultetit Filozofik, Filologjik, Shkencave Natyrore dhe Edukatës fizike), kompleksi i Fakultetit Ekonomik, Juridik dhe Edukimit, kompleksi i Fakultetit të vjetër Teknik (seksioni i arkitekturës), dhe objekti i ri i Fakultetit të Bujqësisë Veterinarisë (FBV).

Auditori në raportin e vitit 2021 ka theksuar se kjo çështje është trajtuar në raportet e tyre tash e disa vite me radhë dhe ua kanë sqaruar UP-së se mos evidentimi në regjistra i këtyre pronave kishte ndodhur për shkak të problemeve të pa zgjidhura pronësore në mes UP-së dhe Komunës së Prishtinës.

“Mirëpo, marrë parasysh faktin e kohëzgjatjes së këtij problemi, konsiderojmë se UP nuk ishte angazhuar mjaftueshëm në konkretizimin e punës së komisionit përkatës për zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2021.

ZKA ka theksuar se mos regjistrimi i të gjitha pronave në regjistrin e pasurisë reflekton mungesë të informatave mbi gjendjen e pasurisë dhe ndikon në prezantim jo të plotë të vlerës së pasurive në PFV.

Auditori ka rekomanduar rektorin që të shtyjë punën e komisionit të mandatuar në ndërmarrjen e veprimeve dhe rezultateve konkrete për zgjidhjen e çështjes së pronësisë në mes UP dhe Komunës së Prishtinës për pronat të cilat janë në kontest, vlerësimin e këtyre pronave.