Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës FOTO- Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Dëshmia e policit në gjykatë: Triumf Riza u ankua për Enver Sekiraqën në Polici

Në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës, i cili po akuzohet për nxitjen e vrasjes së ish- policit Triumf Riza, është dëgjuar dëshmitari i radhës, Mehdi Kozhani, rreshter në Policinë e Kosovës.

Dëshmitari Kozhani tha se në kohën kur është vrarë i ndjeri Triumf Riza, Kozhani ka punuar si hetues në Policinë e Kosovës ndërsa ceku se Riza ishte ankuar rreth Enver Sekiraqës në Polici.

“Triumf Riza ka kërkuar ndihmë nga Policia, ka pasur ankesë rreth Enver Sekiraqës dhe grupit të tij. Këtë e ka bërë për arsye që Policia të ndërmarë aksione, në koordinim me Prokurorinë dhe gjyqtarin e procedurës, në mënyrë që të kryhen veprime ndaj këtyre të dyshuarve”, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari tha se nuk ka hasur në ndonjë shkresë që i ndjeri Triumf Riza dhe Arben Berisha kanë pasur ndonjë konflikt.

“Dyshimet kanë shku tu u forcu që, Enver Sekiraqa e ka përdorë Arben Berishën për këtë vrasje, dukë bërë shtytje të qëllimshme dhe të planifikuar. Berisha indentifikohet si pjesëtar i grupit, kjo dëshmohet dhe nga ndejat e tyre e komunikimet me sms”, shtoi dëshmitari.

Mbrojtja e të akuzuarit Sekiraqa, Kosovare Kelmendi tha se ka vërejtje për dëshminë e dëshmitarit.

“Kam vërejtje në dëshminë e dëshmitarit, për faktin se në asnjë shqyrtim gjyqësor dëshmitari nuk ka qenë objektiv, për më tepër e jep dëshminë mbi bazën e supozimeve e thashethemeve. Përndryshe sikur t’i falej besimi këtij dëshmitari në tërësi, Gjykata e Apelit nuk do e kthente çështjen në rigjykim”, tha avokatja Kelmendi.

Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007, e që sipas Prokurorisë rasti kishte ndodhur pasi ai kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, dhe ishte duke shkuar në drejtim të makinës së tij kur ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës, tre nga të cilët ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vet i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Përjashtohet përsëri publiku në gjykimin e Enver Sekiraqës