Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dëshmi, si u filmua familja Jashari pak ditë pas masakres së Prekazit?

Nora Visoka Weller ka treguar ekskluzivisht në “Kallxo Përnime” se si ishin filmuar dhe intervistuar pjesëtarë të familjes Jashari, pas masakrës në Prekaz.

Sipas saj, më 6 mars 1998 bashkë me gazetarë të huaj është nisur për në Drenicë, një ditë pas sulmit mbi familjen Jashari.

“Menjëherë, shkoj takohem me gazetarët edhe nisemi për në Drenicë. Në postblloqe nuk na kanë ndaluar, sepse qëllimi i tyre ishte me i tregu botës se po i luftojnë ‘terroristët’. Edhe vazhdojmë tutje, arrijmë në lagjen Jashari, ende kishte tym dhe shihej që aty ka pasur luftë. Pasi i kanë vrarë njerëzit, janë siguruar që të shkatërrojnë të gjithë lagjen”, ka treguar Nora Visoka Weller.

Tutje, ajo ka rrëfyer se si në njërën dhomë ka gjetur shumë fotografi të shpërndara, të cilat i ka marrë me vete e më vonë i ka dorëzuar te një pjesë e një familjeje që kanë mbijetuar.

“Pas një jave, e kemi gjetur një person ndërmjetësues, na tha se në këtë ditë në këtë orë, takohemi në lagjen ‘Tavnik’ dhe shkojmë bashkë. Në lagje më tutje, arritëm në një shtëpi që ishte e rrethuar me shumë mure, aty takuam një plakë, që na thanë që është ‘nëna e madhe’, ashtu e quanin ata. Nëse nuk gaboj, aty ishin dy nuse të djemve Jasharaj, motra e njërit prej vëllezërve, edhe disa fëmijë të vegjël”, ka thënë ajo.

Nora Visoka Weller si përkthyese në atë kohë ka thënë se kjo ishte një nga ngjarjet që i ka bërë më së shumti përshtypje, pasi ka parë shumë pleq e gra duke qajtur.

“Kjo ishte një nga ‘storiet’ që ma ka bërë përshtypje, sepse aty kam parë shumë pleq duke qajtur. Kur e sheh një person të tillë duke qajtur, është e paimagjinueshme. Në atë moment, në atë shtëpi kur hymë, e pamë se të gjithë anëtarët ishin në gjendje shoku. Pasi që filluan me na tregu se çka ka ndodhë, ajo plaka nuk mundte t’i ndalte lotët”, ka rrëfyer ajo.

www.kallxo.com