Deputetja Musliu kritikon Qeverinë dhe deputetët e pozitës për mungesën në Kuvend

Në seancën e Kuvendit është duke u diskutuar për rritjen e çmimeve në Kosovë.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar mosprezencën e Qeverisë dhe të deputetëve të pozitës në debat.

“Nuk ka prioritet më të madh për deputetin se për të qenë sot në seancë, aq më tepër sot kur po flitet për krizën me rritjen e çmimeve që qytetarët janë duke e vuajtur në palcë”, ka thënë Musliu.

Ajo tha se është turp që Qeveria dhe deputetët nuk janë prezentë, ndërkaq sipas Musliut, vetëm deputeti nga LVV, Armend Muja, është prezent.

“Është turp për këtë Qeveri që nuk është prezente sot në debat, është dy herë turp për deputetët e mazhorancës që sot nuk janë në sallën e Kuvendit dhe e kanë lënë fillikat vetëm Armend Mujën”, ka deklaruar Musliu.

Mungesën e deputetëve në Kuvend e ka konstatuar edhe nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj.

“Janë edhe dy deputetë në radhë, mirëpo nuk kemi numër të mjaftueshëm të votojmë rezolutën”, ka thënë Hoxhaj.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë të jashtëzakonshme me një pikë në rend dite: Debat parlamentar lidhur me rritjen çmimeve.

Ditëve të fundit në Kosovë ka pasur rritje të çmimeve të karburante dhe të disa prej produkteve esenciale ushqimore.

Disa nga produktet që pësuan rritje të çmimeve është vaji, sheqeri dhe mielli.

Me 10 mars në Kosovë çmimi i vajit shkoi në 3.49 euro.

KALLXO.com ka raportuar se janë mbyllur dy depo të supermarketëve në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë. Në njërën prej tyre janë gjetur 100 mijë shishe vaj ndërsa në tjetrën 26 mijë të tjera