Deputetët kthehen në sallën Kuvendit

Deputetët e Kuvendit janë kthyer në sallën e seancave plenare, pas një pauze dy-orëshe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti aktualisht nuk ndodhet brenda sallës.

Pauza dy orëshe erdhi me vendim të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca pasi në sallën e Kuvendit ndodhi një përplasje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe ministrave të kabinetit qeveritar.

Përleshja fizike nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga ulësja e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprimi, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bsilimi, në mbrojtje të së cilëve erdhi ministri i Financave Hekuran Murati. Bislimi shihet teksa gjuan një shishe në drejtim të Lushtakut.

Lushtaku më pas është parë duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.

Gjatë pauzës së seancës, Lushtaku është deklaruar para gazetarëve duke paralajmëruar padi ndaj zëvendëskryeministrit Bislimi dhe ministrave, Haxhiu dhe Murati.

“Unë duke parë të gjitha këto sulme që më janë bë në drejtim timin dhe kolegëve, ku fizikisht më gjuajtur me shishe me plot me ujë dhe nga zv.kryeministri Bislimi, nga Albulena Haxhiu shihet qartë që ka pasë sulm, ka ardhë me tentim për të më shtyer, pastaj edhe ministri i Financave ishte me një mjet të fortë dhe sigurisht që pas atij reagimi, unë natyrshëm kam reagu. Por asnjëherë nuk kisha në plan të kem një reagim të dhunshëm, veprimi im ka qenë politik dhe si i tillë vetëm kam vepru me një gjuajtje të ujit, të gjithë kanë nevojë për freskim sidomos kjo qeveri që më së shumti po i konvenon Serbisë sesa Kosovës”- ka qenë version i Lushtakut.

I pyetur nëse janë lënduar ndonjë deputet i PDK-së, Lushtaku tha se ka edhe prej deputetëve të partisë së tij që janë lënduar, por edhe ai vetë.