Ambulanca për Coronavirus - KALLXO

Denoncimi i Kryetarit të Vitisë: Nuk kemi pajisje për t'u përballur me situatën

Në një bisedë në orët e vona të natës për KALLXO.com kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka kritikuar sjelljen e qeverisë lidhur me gjendjen në komunën e tij pas konstatimit të rastit të parë me virusin corona.

Haliti ka thënë se nuk janë konsultuar për shpalljen e izolimit të komunës ndërsa ka denoncuar mungesën e mjeteve bazike për tu marrë me menaxhimin e situatës.

“Me të treguar të drejtën është krijuar një panikë pas këtij rasti, për shkak se ky personi që ka ardhur nga Italia ka ardhur që nga data 5 dhe ka qëndruar në restaurane e ka shkuar te të afërmit, ka shkuar edhe në meshë e cila është mbajtur në fshat. Edhe tash normal që frika është” ka thënë Haliti.

Ai ka shtuar se nuk u konsultuan nga qeveria për hapat e ndërrarrë.

“Unë jam munduar që të i rrij afër dhe jemi takuar edhe me kryetarin e fshatit, me drejtorin e shkollës, jam koordinuar deri vonë po çka është më e keqja, Ministri i Shëndetësisë nuk është konsultuar kur e ka future në karantinë fshatin” ka thënë Haliti.

Ai është shprehur i pakënaqur edhe me reagimet ndaj stafit mjekësor të cilët sot gjatë ditës u vendosën në karantinë. Sipas Halitit vendimi për karantinë ishte i drejtë edhe përkundër se ata morrën shumë kritika gjatë ditës.

“Çka është më interesant drejtoresha e QKMF i ka future në karantinë 18 punëtorë që janë marrë me pacientin në mesnatë ndërsa e kanë thirrë këta të institutit se pse kishte drejtoresha po bën panikë dhe kur rezultojë pacienti pozitiv dul që drejtoresha ka pasur të drejtë. Unë e kam përkrahur drejtoreshën dhe stafin mjekësor sepse kam pasur besim se ata kanë të drejtë”, tha Haliti.

Kryetari Haliti ngriti çështjen e pajisjeve mbrojtëse për të cilat tha se nuk kanë marrë diçka të tillë.

“Na mas pari nuk kemi as mjete të punës unë i kërkova edhe Ministrisë së Shëndetësisë me na pru mjete as policia te ne nuk kanë mjete adekuate për kësi raste. Ne ju blejtëm dezinfektues me aq sa patëm mundësi dhe kjo nuk është situatë normale me ndodh edhe prapë mer vendim me ta izolu një komunë me 43 fshatra e knej nuk kanë pru asnjë pajisje elementare”, shtoi tutje.

Në fund, Haliti tha edhe se pacienti i cili doli i infektuar me virusin corona ka ardhur nga Italia me bashkëshorten e tij ndërsa ka pasur kontakte me shumë persona. “Pacienti ka pasur kontakt edhe me bashkëshorten dhe vajzën e burrin e vajzës të cilët tani janë në spital në karantinë”, thotë ai tutje për KALLXO.com.

KALLXO.com gjatë ditës raportoi për izolimin e fshatit Stubëll, pas dy rasteve të konfirmuara me coronavirus.

77 vjeçari nga kjo komunë kishte ardhur më 5 mars nga Italia ndërsa mbrëmjen e kaluar rreth mesnatës kishte shkuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti për kontrollë për shkak të dyshimit se ka coronavirus.

Një ekip prej 17 mjekësh dhe staf mjekësor janë izoluar që nga mesnata për shkak se të njëjtit kishin pasur kontakt me pacientin 77 vjeçar.

Konfirmimi për coronavirus, familje në Klinë vendosen në karantinë