Vetura e dëmtuar e Policisë së Kosovës në Zvecan, Policia e Kosovës në Zvecan, Foto:KALLXO.com, 26.05.2023

Dëmtohet edhe një veturë e Policisë në veri

Që nga fundi i muajit maj, kur edhe filluan tensionet në veri të Kosovës, me dhjetëra vetura të Policisë së Kosovës, dhe jo vetëm mbetën të thyera e të djegura.

Një rast i ngjashëm ndodhi edhe dje në mbrëmje në Mitrovicën e Veriut, saktësisht në rrugën Filip Vishnica rreth orës 18:40.

Persona të panjohur, në një grup prej katër apo pesë njerëzve, me gurë gjuajtën edhe një veturë tjetër të PK-së, në të cilën gjendeshin katër zyrtarë policor.

Këta të fundit ishin në drejtim të stacionit policor, përderisa pas sulmit që kryen të dyshuarit u larguan në drejtim të panjohur.

Vetura në fjalë mbeti e dëmtuar, përderisa në raportin 24-orësh policor u tha se nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Rasti në fjalë u cilësua si sulm ndaj personave zyrtar dhe dëmtim apo asgjësim i pasurisë.