Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dëmtohen gypat e Ujësjellësit, pjesa e Prishtinës që ka mbetur pa ujë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se gjatë punimeve të kompanisë që po kryen punimet për sistemin e ngrohjes në rrugën ” Ukshin Kovaqica” në lagjen Mati janë shkaktuar 3 defekte në linjën e furnizmit me ujë për këtë lagje.

Si pasojë pa furnizim me ujë janë “Rruga B” deri te Royal Mall, rruga “Muharrem Fejza”, një pjesë si dhe rruga “Holger Petersen” në drejtim të Prishtinës së Re.

“Si pasojë e kontraktorëve të tillë tërësisht të papërgjegjshëm jemi duke u përballë me probleme të tilla ku më shumë se çdokujt po u krijon vështirësi konsumatorëve të KRU” Prishtina” sh.a. U kërkojmë ndjesë konsumatorëve të zonës, me theks të veçantë rrugës ” Muharrem Fejza” të cilëve po u shfaqen probleme të natyrave të tilla, krejtësisht nga puna e papërgjegjshme e kontraktorëve të institucioneve të tjera”, thuhet në njoftimin në Facebook.