Blerta Deliu-Kodra në seanncën e Kuvendit, 27 janar 2022

Deliu-Kodra: Presidentja po hesht karshi deklaratës të frikshme të bashkëshortit të saj kundër mediave

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra ka thënë sot në seancën e Kuvendit se presidentja Vjosa Osmani po hesht karshi deklaratës së bashkëshortit të saj Prindon Sadriu, i cili e quajti median si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Deliu-Kodra ka thënë se gjuha e përdorur nga Sadriu është skandaloze, e papranueshme, duke e lidhur atë me aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

“Prindon Sadriut duke se nuk i ka mjaftuar jetësimi i dëshirës për krijimin e një aktakuze monstruoze me dokumente të sponsorizuara e falsifikuara nga Rusia e Serbia të cilat Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e portretizojnë si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Tani zotëri Sadriu me gjuhën e zyrtarëve serbë, në mënyrë skandaloze, të papranueshme për një zotëri të parë dhe diplomat, i cilëson mediat si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, ka thënë ajo.

Deputetja e PDK-së përmendi pozitat e Prindon Sadriut dhe tha se lidhur me shkrimin e tij nuk ka asnjë qëndrim zyrtar të ministres së Jashtme, të kryeministrit dhe presidentes.

“Prindon Sadiu përveç që është bashkëshorti i presidentes Osmani, është diplomat, është zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës, është shef i misionit diplomatik në Shkup, është pjesë e rezervës në FSK. Para pak ditësh jeni dëshmitarë të suspendimit të një polici për shkak të një deklarate të tij në raport më gjendjen e rëndë që janë Policia e Kosovës. Polici i Kosovës u suspendua ndërkohë që ne nuk kemi asnjë qëndrim zyrtar të Ministrisë së Jashtme, të zonjës Gervalla, nuk kemi asnjë reagim të kryeministrit e presidentes ndaj deklaratës skandaloze të Prindon Sadriut, pse po hesht presidentja dhe kryeministri ndaj një deklarate, sulmi, linçimi dhe frikësimi që po ju bëhet mediave të lira në Kosovës”, ka shtuar Deliu-Kodra.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj gjuhës së përdorur të Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes së Kosovës ndaj mediave.

AGK ka përshkruar edhe deklaratën e Sadriut, e cila më pas është fshirë nga faqja e tij.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1,200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë, thuhet në reagimin e AGK-së.

AGK-ja dënon sulmet e bashkëshortit të Presidentes Osmani ndaj gazetarëve