Darka e zëvendëskryeministrit Bislimi për emisarin Lajçak që kushtoi 234 euro

Në mesin e shtatorit të këtij viti, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe Çështjet e tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak kishte qenë në vizitë zyrtare në Kosovë.

Kjo vizitë e Lajçak nuk ka kaluar pa një darkë nga nikoqiri, Qeveria e Kosovës.

Darka e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun dhe Çështjeve tjera Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak në shtator të këtij viti kishte kushtuar 234 euro.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtarë ka siguruar faturat e kabinetit të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Në faturën e datës 15 shtator shihen se janë konsumuar 2 salmon në vlerë prej 30 eurove.

Po ashtu 8 fileto al funghi që kanë kushtuar 96 euro. 2 pica me vlerë prej 10 eurove si dhe lloje të ndryshme të sallatave që kanë kushtuar në total 35 euro.

Përveç ushqimit, në këtë drekë është konsumuar edhe një shishe verë vendore me vlerë prej 28 euro.

Emisari Lajçak kishte qëndruar në Kosovë nga data 15 deri më 17 shtator dhe kishte zhvilluar takime me krerët shtetëror por edhe me përfaqësues të partive opozitare.

Në sqarimin e zyrës për media të qeverisë së Kosovës kanë thënë se në darkë kanë qenë në tetë persona. Miroslav Lajcak dhe katër pjesëtarë të stafit të tij dhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe dy pjesëtarë të kabinetit të tij.

KALLXO.com në kuadër të dosjes “Sa Han Shefi”, ka publikuar të gjithë shpenzimet e qeverisë Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Kurti 1 e Hoti.

KALLXO.com do të vazhdojë publikimin e shpenzimeve për dreka dhe darka zyrtare të qeverisë Kurti 2.

‘Darka e Vonë’ e kabinetit të Kurtit me ushqime deti, verëra e shampanjë italiane

Sa i kushtoi kabinetit të Kurtit darka për miqtë ndërkombëtarë?