Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Darka 280 euroshe e Brukselit, 28 euro i kushtuan shtetit 4 copa tortë tiramisu
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i caktuar nga kryeministri Kurti për t’u marrë me procesin e dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që nga marrja e mandatit ka udhëtuar disa herë në takime zyrtare në kryeqytetin belg.
Në Bruksel, Bislimi si përfaqësues i Qeverisë Kosovës ka pasur takime të ndryshme me përfaqësues të Bashkimit Evropian, herë kokë më kokë me ta, e herë me BE si ndërmjetëse në takimet me palën serbe.
Në një drekë zyrtare në Bruksel, të nënshkruar nga kabineti i zëvendëskryeministrit Bislimi janë shpenzuar mbi 280 euro.
Në këtë drekë në kryeqytetin evropian kanë qenë të pranishëm 10 zyrtarë të qeverisë së Kosovës, 7 nga kabineti i Bislmit dhe 3 zyrtarë të tjerë nga Ambasada e Kosovës në Bruksel.
KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtarë ka siguruar faturën e datës 5 korrik e cila ka kushtuar 284 euro e 50 cent në total.
Në këtë drekë, Bislimi me kabinetin e tij kanë konsumuar kryesisht ushqime italiane. Në faturë figurojnë pica dhe pasta si ushqimet e asaj dreke.
Po ashtu, pas drekën, zyrtarët ishin shërbyes edhe me desert, si tiramisu dhe kek me mollë.
Sipas faturës, 4 tiramisu kishin kushtuar në total 28 euro apo 7 euro për copë.
Në këtë drekë nuk ishte konsumuar alkool, ushqimi ishte shoqëruar me coca cola e ujë, ndërsa deserti me kafe.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se pjesë e kësaj dreke kanë qenë 10 persona.
“Në këtë drekë pune të shtruar për Delegacionin e Republikës së Kosovës, e organizuar në kuadër të takimeve në Bruksel, kanë qenë në total dhjetë (10) persona: Delegacioni i Republikës së Kosovës i përbërë nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe gjashtë (6) persona tjerë si dhe tre (3) zyrtarë të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel”, tha Përparim Kryeziu për KALLXO.com.
Më 6 dhe 7 korrik, delegacioni i Kosovës i kryesuar nga zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë i kryesuar nga Petar Petkoviç kishin zhvilluar takime nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
KALLXO.com në kuadër të dosjes “Sa Han Shefi”, ka publikuar të gjithë shpenzimet e qeverisë Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Kurti 1 e Hoti.
KALLXO.com do të vazhdojë publikimin e shpenzimeve për dreka dhe darka zyrtare të qeverisë Kurti 2.
Darka e zëvendëskryeministrit Bislimi për emisarin Lajçak që kushtoi 234 euro