Sa i kushtoi kuletës së shtetit dreka e presidentes Osmani për senatoren amerikane?

Bifteku dhe vera vendore kishin qenë pjesë e drekës të cilën presidentja e vendit, Vjosa Osmani e kishte shtruar për senatoren e Iowas, Joni Ernst.

Dreka e datës 3 korrik buxhetit të shtetit i kishte kushtuar mbi 750 euro.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, si dhe pas ankesës së bërë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, ka siguruar faturën e kësaj dreke.

Sipas faturës, në këtë drekë ishin ngrënë 16 biftekë, të cilët kishin kushtuar 200 euro si dhe ishin pirë 8 vera vendore, të cilat kishin kushtuar po ashtu 200 euro.

Këshilltari politik i presidentes, Artan Murati në një sqarim për KALLXO.com ka thënë se pjesë e kësaj dreke kanë qenë 17 persona, duke përfshirë delegacionin e Iowas si dhe atë të presidentes Vjosa Osmani.

Përveç mishit e verës, në këtë drekë ishin ngrënë 15 antipasta djathi të cilat kishin kushtuar 97 euro si dhe 15 sallata rukolla në vlerë 60 euro.

Dreka ishte përmbyllur me ëmbëlsirë të llojit Cheese cake, në total 15 copë, e të cilat kishin kushtuar 45 euro.

KALLXO.com në kuadër të dosjes “Sa han Shefi” është duke publikuar faturat e presidencës si dhe të qeverisë.

Vjosa Osmani është zgjedhur presidente e Kosovës më 4 prill të vitit 2021, nën presidencën e saj me buxhet të shtetit janë organizuar vetëm 7 dreka/darka zyrtare.

Në total, që nga prilli i vitit të kaluar në dreka dhe darka zyrtare janë shpenzuar vetëm 2 mijë e 714 euro e 50 centë.

Dje, KALLXO.com raportoi se “Darka e Lamës” e mbajtur në tetor të vitit të kaluar, kuletës së shtetit i kushtoi 3 mijë e 137 euro e 50 cent.

Shuma e harxhuar këtë vit për “Darkën e Lamës” është më ulëta prej vitit 2011 i organizuar nga institucioni më i lartë i vendit.