Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com

‘Darka e Vonë’ e kabinetit të Kurtit me ushqime deti, verëra e shampanjë italiane

Oktapod, levrek, salmon e biftek të shoqëruar nga verëra vendore e shampanjë italiane kishin qenë pjesë një darke të zyrës së kryeministrit Kurti.

Darka e 31 majit, ishte ngrënë më vonë se zakonisht. Sipas faturës që është shpenzuar në emër të zyrës së kryeministrit, darka ishte paguar në ora 22:51.

Në faturën e siguruar nga KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, kjo darkë ishte ngrenë në një nga restorantet në afërsi të Prishtinës.

Vlera e kësaj darke kishte kushtuar 375 euro.

Në këtë darkë qeveritare kishte dominuar ushqimi i detit. Një salmon i cili kishte kushtuar 12 euro, një oktapod 11 euro, dy levrek 22 euro si dhe tre biftek viçi në vlerë prej 51 eurove.

Një shishe me shampanjë italiane e llojit ‘Prosecco’ kishte kushtuar 16 euro.

Në këtë darke ishin konsumuar 4 shishe verë të llojit ‘StoneCastle’ të cilat kishin kushtuar 96 euro.

Përveç këtyre ushqimeve, në këtë ‘darkë të vonë’ të kabinetit të Kurtit, ishin konsumuar edhe 8 antipasta speciale në vlerë prej 48 eurove, 8 sallata rukolla në vlerë prej 36 eurove, 8 supa ditore në vlerë prej 24 eurove si dhe disa ushqime të tjera.

KALLXO.com në kuadër të dosjes ‘Sa Han Shefi’, ka publikuar të gjithë shpenzimet e qeverisë Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Kurti 1 e Hoti.

KALLXO.com do të vazhdojë publikimin e shpenzimeve për dreka dhe darka zyrtare të qeverisë Kurti 2.