“Darka e Lamës” i kushtoi kuletës së shtetit mbi 3,100 euro

Në ambientet e një hoteli modern të Prishtinës e me motive tradicionale, në tetor të vitit të kaluar “Darka e Lamës” mblodhi rreth 100 persona.

I gjithë organizimi i kësaj darke, kuletës së shtetit i kushtoi 3 mijë e 137 euro e 50 cent.

Shtrimi kësaj darke u nis nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova në vitin 2002, ku synim ishte që të shënohet fundi i stinës së verës dhe fillimi i vjeshtës. Ndërsa, në sofrat, ku mysafirë ishin krerë institucionesh nga vendi e ndërkombëtarë, shtrohej ushqim tradicional.

KALLXO.com ka siguruar faturën nga Presidenca e Kosovës përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Por, shuma e harxhuar këtë vit për “Darkën e Lamës” është më ulëta prej vitit 2011 i organizuar nga institucioni më i lartë i vendit.

Kështu, nga të dhënat e sigurua del që në vitin 2012 “Darka Lamës” kushtoi 8 mijë e 666 euro. Një vit më pas, darka me ushqime tradicionale kushtoi 7 mijë e 600 euro.

Më pak se në këto dy vite, kushtoi “Darka e Lamës” kushtoi në vitin 2011, 6 mijë e 750 euro. Ndërsa, në vitin 2014 ajo kushtoi 4 mijë e 240 euro. E nëse i mbledhim pesë vitet, të dhënat që zyra e shefes së shtetit ka ofruar, del se “Darka e Lamës” ka kushtuar 30 mijë e 403 euro.

Mirëpo, në të dhënat e viteve të tjera, nga Zyra e Presidencës nuk kanë treguar numrin e mysafirëve.

Protokolli i shteti kishte një listë të të ftuarve, ku përveç udhëheqësve të tri institucioneve më të larta të vendit, Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë, ishin ftuar edhe ish-presidentët, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, përfaqësues të institucioneve të pavarura, ambasadorë dhe zyrtarë nga misionet diplomatike, përfaqësues të partive politike dhe përfaqësues nga fusha e sportit, artit, kulturës, shkencës, biznesit etj.

 

Shpenzimet për “Darkën e Lamës” nga Presidenca e Kosovës në vitet e kaluara Burimi: ZPRK

Por, për organizimin e “Darkës së Lamës” kishin reaguar nga Shoqata e Gastronomeve. Drejtuesi i kësaj shoqate përmes një reagimi në Facebook kishte kritikuar organizatorët.

“Çka bon i forti, i ligi Çuditet! 4 veta në tavolinë, 50% e kapacitetit të hapësirës lejohet të shfrytëzohet”, kishte shkruar Petrit Kllokoqi duke cituar edhe vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë të cilat flisnin për kufizimin e tubimeve publike.

Për organizimin e “Darkës së Lamës” këtë vit, Presidenca e Kosovës ka thënë të ketë marrë masa për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Presidenca për këtë organizim ka pasur konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe meqë aktiviteti është zhvilluar në harmoni me rregullat anti-COVID (kapaciteti i sallës për 500 persona, të pranishëm në sallë 100 persona), nuk pasur nevojë për leje të veçantë nga Qendra Operative Emergjente e MSh-së”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të presidentes Osmani.

“Pjesëmarrës në darkë kanë qenë 100 të ftuar. Në hapësirë të ndarë, jashtë sallës, prezent kanë qenë rreth 30 zyrtarë nga Njësiti i Mbrojtjes së Afërt nga të gjitha institucionet”, thuhet tutje në përgjigje.

Në faturën e dërguar nga Presidenca nuk janë përshkruar ushqimet dhe pijet e konsumuar në “Darkën e Lamës”.

Fatura për “Darkën e Lamës” në vitin 2021 Burimi: ZPRK

Vitin e kaluar, “Darka e Lamës” ishte shtruar nga ish-kryeministri i LDK-së, Avdullah Hoti.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publikë.

Shpenzimet e Avdullah Hotit, Albin Kurtit e Ramush Haradinajt për dreka

www.kallxo.com