Sa i kushtoi kabinetit të Kurtit darka për miqtë ndërkombëtarë?

Pasta ravioli, linguini, e canneloni të shoqëruar me verëra kanë qenë pjesë e drekës të cilën kabineti i kryeministrit Albin Kurti e ka shtuar për disa miq ndërkombëtarë.

Më 16 shtator, kabineti i Kurtit kishte shtruar një darkë prej 157 eurove për t’i pritur Sir Suma Chakrabarti, ish-presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) dhe Anne-Laure Kiechel, kryeshefe ekzekutive e Global Sovereign Advisory (GSA).

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, ka siguruar faturën e kësaj darke, për të cilën nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë që kanë qenë pjesë 8 persona.

Në këtë darkë ishin ngrënë dy exclusive canneloni në vlerë prej 14.63 euro, një linguini me karkaleca në vlerë prej 7.31 euro, si dhe tri ravioli me tartuf në vlerë prej 26.34 euro.

Në këtë darkë, të pranishmit kishin konsumuar edhe dy vera vendore, njëra në vlerë prej 18.52 euro si dhe tjetra 21.31 euro.

Ndonëse darka ishte organizuar nga kabineti i tij, vet kryeministri Kurti nuk kishte qenë pjesë e saj.

Sipas sqarimit të zyrës për media të qeverisë, të pranishëm në këtë darkë kanë qenë: Sir Suma Chakrabarti, ish-presidenti i BERZH-it; Mandeep Bains, bashkëpunetore e Sir Suma Chakrabarti; Sara Pantuliano, kryeshefe ekzekutive e Overseas Development Institute (ODI); Anne-Laure Kiechel, kryeshefe ekzekutive e Global Sovereign Advisory (GSA);  Bardhyl Dobra, zëvendësministri i MPB-së; Nita Shala, zëvendësministrja e MD-së; Kaltrina Zeka, shefja e Kabinetit të zëvendeskryeministrit Besnik Bislimi si dhe Tienmu Ma, këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit.

 

Përveç pastave e verërave, të pranishmit kishin ngrënë edhe sallata greke si dhe krejt në fund darka ishte përmbyllur me ëmbëlsira dhe akullore.

KALLXO.com ka filluar me publikimin e faturave të drekave dhe darkave zyrtare të qeverisë Kurti 2.

Në faturën e publikuar para disa ditëve, kabineti i Kurtit kishte ngrënë, Oktapod, levrek, salmon e biftek të shoqëruar nga verëra vendore e italiane.

Në reagimin e qeverisë, bëhet e ditur se në këtë darkë pune ishin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja njëherit ministre e Jashtme, Donika Gërvalla, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog.

KALLXO.com në kuadër të dosjes “Sa Han Shefi”, ka publikuar të gjithë shpenzimet e qeverisë Thaçi, Mustafa, Haradinaj, Kurti 1 e Hoti.

KALLXO.com do të vazhdojë publikimin e shpenzimeve për dreka dhe darka zyrtare të qeverisë Kurti 2.