'Darka e Lamës' e Presidencës iu dedikua policëve, por kryetari i Sindikatës së Policisë thotë se nuk mori ftesë

Brenda Kampit të Njësive Speciale “Enver Zymeri” mbrëmjen e kaluar u mbajt “Darka e Lamës” e që Presidenca e Kosovës e cila ishte organizatore e këtij aktiviteti ia dedikoi policëve, me ç’rast ftoi edhe familjarë të policëve që ranë në krye të detyrës.

Disa nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë pjesë e aksionit në Banjskë të Zveçanit nuk kanë pranuar të ulen në tavolinë për “Darkën e Lamës”, të shtruar nga presidentja Vjosa Osmani.

Elitarët e Policisë, sipas burimeve të KALLXO.com, nuk kanë marrë pjesë në shenjë proteste për kushtet e punës.

“Nuk kemi qenë pjesë, kemi kërkesa të cilat i kemi adresuar” – ka thënë njëri nga pjesëtarët e Njësisë i intervistuar nga KALLXO.com.

Por KALLXO.com merr vesh edhe se ani pse darka u shtrua për nder të punës së Policisë së Kosovës, Presidentja Osmani nuk ftoi atë që përfaqëson kërkesat e policëve, kryearin e Sindikatës së Policisë, Imer Zeqirin.

Zeqiri nuk e di arsyen se pse nuk u ftua, por tha se ai ishte në Prishtinë dhe se meqënëse nuk ka qenë në “Darkën e Lamës” në ish-kampin Blevedere, nuk ka informacion se kush e për cka e bojkotoi këtë aktivitet të organizuar nga Presidentja Osmani.

“Unë nuk jam ftu, nuk kam marrë asnjë ftesë nga organizatorët për të marrë pjesë në këtë darkë. Nuk i di arsyet pse, unë jam Kryetar i Sindikatës së Policëve të Kosovës, mbroj kërkesat dhe interesat e policëve”- tha Zeqiri.

Ai foli pak edhe për kushtet e policëve por shtoi se nuk ka ndonjë informacion se FIT bojkotoi këtë darkë.

“Unë nuk kam njohuri nëse dikush ka bojkotuar këtë ngjarje. Edhe nëse është bërë, policët kanë kërkesat e tyre dhe duhet të plotësohen ato kërkesa, mirqenia e tyre, trajtimi i tyre është i domodoshëm, ndoshta nuk janë kryesorët por janë pjesë e hierarkisë kryesore të sigurisë në Kosovë dhe normalisht i kanë kërkesat e tyre për të cilat mendoj se duhet të plotësohen”- shtoi Zeqiri.

Mbrëmë presidentja Vjosa Osmani ka organizuar ‘Drakën e Lamës’ në kampin e Policisë së Kosovës “Enver Zymeri”. Ajo tha se se kjo është bërë në shenjë mirënjohjeje për gra e burra në uniformë që shërbejnë pa u lodhur për të na bërë të ndihemi të sigurt.

Dilemat mbi raportimet se heronjtë e Banjskës nuk e nderuan “Darkën e Lamës” të shtruar nga Vjosa Osmani