COVID-19, tema kryesore në mbledhjen e komunës së Gjakovës

Për shkak të pandemisë COVID-19, mbledhja e komunës së Gjakovës, është mbajtur në sallën solemne të pallatit të kulturës “Asim Vokshi”.

Në këtë mbledhje, krahas pikave tjera, temë kryesore ka qenë situata aktuale e pandemisë globale.

Të gjithë subjektet politike opozitë i kanë ofruar kryetarit të komunës, Ardian Gjini, mbështetje në menaxhimin e kësaj situate, duke kërkuar që të jenë edhe pjesë e shtabit emergjent.

Propozimi i LVV-së ishte mundësia e lirimit të taksave të hapësirave publike për muajin mars dhe prill.

Në këtë propozim ata kërkuan edhe që të vizitohen marketet nga Policia dhe Inspektorati, që njerëzit të mbajnë distancën, duke mos përjashtuar edhe kontrollimin e parqeve në vazhdimësi.

Ndërsa sa i përket dezinfektimit të objekteve shkollore, Ardian Gjini bëri të ditur që ditën kur Qeveria të marrë vendim për fillimin e shkollave, ato do të dezinfektohen prapë.

Gjini theksoi se janë dezinfektuar hyrjet e banesave, trotuaret, hapësirat komunale dhe institucionet tjera.

Ai tha që do të kujdeset që asnjë familje të mos mbetet pa ushqim dhe mjete higjienike.

Edhe drejtori i Arsimit, Bernard Frrokaj, tregoi që mësimet online po mbahen, po shkon mirë dhe se 80-90% e nxënësve po e ndjekin, por duke cekur problemin që jo të gjithë kanë smartphone ose llaptopë.

Përveç situatës së COVID-19, në këtë mbledhje është miratuar bartja e të hyrave vetanake të pashpenzuara nga viti fiskal 2019 në buxhetin e vitit 2020 si dhe është bërë shpallja e interesit publik të dy pronave në Gjakovë, me qëllim të realizimit të projektit të lumit Krena.

Më pas, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka pritur edhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti bashkë me disa ministra të tjerë.

Temë kryesore e tyre ka qenë situata e përhapjes së pandemisë COVID-19.