Coronavirusi, testohen rreth 60 persona që morën pjesë në ahengun në Gjilan

Ditë më parë, një këngëtar kishte dalë pozitiv me coronavirus.

Ai kishte qenë pjesë e një ahengu në Gjilan, në të cilin kishin marrë pjesë edhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

KALLXO.com mëson se gjatë ditës së sotme rreth 60 mostra janë marrë për testim nga personat që kanë qenë në po të njëjtin aheng, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të stafit të lokalit ku është zhvilluar ahengu.

Gjatë kësaj jave, sipas IKSHP-së dy persona të cilët kishin ardhur nga Dusseldorfi i Gjermanisë, njëri i gjinisë mashkull 54 vjeç dhe tjetra e gjinisë femër 49 vjeçe kishin dalë pozitiv me coronavirus.

Njëri nga ta ishte edhe një i prekur me coronavirus dhe i cili kishte marrë pjesë në ahengun e organizuar dhe për këtë rast, mostrat i janë marrë edhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në po të njëjtën ndejë.

Në anën tjetër, Drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Selami Xhemajli ka treguar se janë marrë të gjitha masat e propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publike dhe është bërë dezinfektimi i një pjese shumë të madhe të objekteve komunale, shëndetësore e fetare.

Deri sot që nga 13 marsi, 28 raste janë konfirmuar pozitiv me COVID-19.

Një sërë vendimet janë ndërmarrë nga ana e Qeverisë së Kosovës, për të parandaluar pandeminë. Sipas institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë personat që bien ndesh me vendimet e qeverisë do të ndiqen penalisht.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike vazhdimisht ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë.