Ilustrim

Coronavirus: Qeveria planifikon të angazhojë të gjithë personelin shëndetësor që nuk punojnë aktualisht

Në kohën kur personeli shëndetësor është duke punuar mbi 15 orë në ditë për të përballuar fluksin e njerëzve që vizitojnë qendrat mjekësore për shkak të përhapjes së coronavirusit dhe panikut të përhapur te qytetarët, zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se do të bëjnë kërkesë që të aktivizohet krejt personeli shëndetësor që momentalisht nuk është i angazhuar në institucione publike dhe private.

“Por do të bëjmë kërkesën që të aktivizojmë stafin shëndetësor që momentalisht nuk është i angazhuar nëpër institucione publike ose private, krejt personeli shëndetësor i kualifikuar në nivel vendi do të angazhohet së shpejti dhe me një plan operativ do të shpërndahen në të gjitha komunat”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.

Hoti ka thënë po ashtu se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do të sigurohet pagesa shtesë për stafin shëndetësor që janë duke punuar deri 15 orë në ditë në këto ditë kur Kosova ka hyrë në listën e vendeve të prekura me coronavirus.

“Është adresuar kjo çështje, në mbledhje e ardhshme të Qeverisë edhe kjo rregullohet. Edhe për të siguruar pagesat shtesë për stafin shëndetësor që është duke punuar 15 orë”, ka thënë Hoti në një konferencë për media.

Në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me Coronavirus, tri raste në Viti, një në Malishevë dhe një në Klinë. Personat e parë të prekur kishin ardhur nga Italia në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrje daljeve nga tri komunat ku janë shënuar rastet e para me coronavirus ndërsa janë izoluar të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakt me personat e prekur me coronavirus.

Si masa parandaluese, Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha restorantet, pubet, qendrat tregtare, kafiteritë, ka pezulluar aktivitetet kulturore, ka ndaluar transportit tokësor dhe ndërkombëtar për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, ka ndaluar transportin ndër-urban, etj.

Gjatë ditës së djeshme, BIK-u ka ndaluar faljen e namazit ditor dhe xhumasë në xhami.