Hekuran Murati, Mistri i Financave, Foto: Arta Sopi, KALLXO.com

Çmimi i tatimit në pronë, ministri Murati mban konferencë për media

Ditëve të fundit ka pasur shumë reagime nga qytetarët rreth ngritjes së çmimit të tatimit në pronë.

Lidhur me këtë çështje, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të mbajë sot konferencë për media e cila është paralajmëruar për në ora 11:00.

Ndërsa, në ora 13:30 ministri Murati pritet të raportojë para anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është deklaruar lidhur me reagimet e qytetarëve për rritjen e tatimit në pronë, për të cilën komunat vunë përgjegjësinë tek vlerësimi i pronave i kryer nga kjo ministri.

Sipas ministrisë, për gjatë vitit 2022 është kryer vlerësimi i përgjithshëm i tokave dhe objekteve rezidenciale si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit, për të cilat janë njoftuar të gjitha komunat.

Departamenti i Tatimit në Pronë, sipas ministrisë, ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për metër katror për objekte dhe toka. Derisa, vlerësimi i përgjithshëm është kryer duke u bazuar në vlerën e tregut me ç’rast Departamenti i Tatimit në Pronë ka përdorur disa të dhëna.

“Kontrata të shitblerjeve për prona rezidenciale (jo më të vjetra se 3 vjet); intervista me agjentë të shitjes së pronave të paluajtshme; anketime të pronarëve të pronave; intervista me zyrtarë bankash në lidhje me vlerat e pronave që përdoren si kolateral; vlera të pronave që janë shpronësuar; të dhëna të qirave; dhe të dhëna nga kompani të ndërtimit” – thuhet në njoftim.

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) përmes një reagimi ka thënë se komunat nuk e kanë rritur çmimin e tatimit në pronë.

AKK-ja ka thënë se komunat nuk e kanë rritur normën tatimore, por sipas tyre, është bërë rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave dhe me këtë rast është rritur vlera e pronave bazuar në çmimet e tregut.

“Pra, çmimi i faturës së tatimit në pronë llogaritet me shumëzimin e vlerës së pronës me normën tatimore. Kështu, me rritjen e çmimit të pronave, pa u rritur fare norma tatimore nga komunat, është rritur automatikisht vlera e faturës së tatimit në pronë” – thuhet në reagimin e AKK-së.

Lidhur me këtë rritje të tatimit në pronë, Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se përgjegjës për procedurën e vlerësimit është Ministria e Financave e cila përcakton zonat e vlerave, nivelet e vlerave dhe vlerën e vlerësuar të pronave të paluajtshme që janë brenda territorit të komunave.

Komuna potencoi se nuk e ka bërë përcaktimin e shumave në fatura për vitin tatimor 2023.