Çmimi i naftës në Kosovë, flet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve

Ditët e fundit çmimet e derivateve në Kosovë kanë pësuar një rritje të lehtë.

Përkundër kësaj kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani tha se çmimet e derivateve në Kosovë janë më të lirat në rajon.

Berjani theksoi se përafërsisht çmimet për benzinë janë rreth 1 euro e 34 cent ndërsa për një litër naftë qytetarët po paguajnë rreth 1 euro e 29 cent.

“Jemi me çmime më të lirat në rajon përveç Maqedonisë së Veriut që e ka naftën më të lirë për shkak të akcizës ndërsa benzinën e ka si në Kosovë”- tha ai.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve tha se trendi i çmimit të derivateve është në zbritje por që nuk mund të paragjykoj për ditët në vijim.

“Çfarë çmime do të kemi në ditët në vijim, nuk mundemi me paragjyku, varësisht nëse ka rënie apo rritje në tregjet ndërkombëtare. Trendi i derivateve është në zbritje. Kosova është treg i hapur dhe i lirë”- tha Berjani për KALLXO.com

Berjani tha se në Shqipëri çmimet e derivateve sillen rreth 1 euro e 75 centë për litër ndërsa në Serbi rreth 1 euro e 68 centë për litër.