Ilustrim
Rritja e çmimeve të derivateve, flet kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve
Çmimet e derivateve në Kosovë kanë shënuar rritje në javët e fundit. Sot, një litër naftë ka kushtuar deri në 1 euro e 58 cent.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë se çmimet e derivateve janë të larta për standardin e qytetarëve në Kosovës.
Por, sipas tij çmimet përcaktohen nga berza ndërkombëtare.
“Çmimi i derivateve për standardin tonë, për qytetarët tonë, është i lartë. Çmimi real për qytetarët do të kishte me qenë 1 euro për litër por kjo nuk varet nga ne, as nga qeveria. Çmimin e përcakton berza dhe organizatat prodhuese, OPEC”- tha Berjani për KALLXO.com
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve tha se qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet më të lira krahasuar me vendet e rajonit.
“… përveç Maqedonisë së Veriut e cila për naftë e ka akcizën më të ulët se ne (për 22 cent) ndërsa benzinën e kanë si tek ne”- theksoi ai.
Berjani tha se “për çmimet në ditët në vijim nuk mund të paragjykoj për shkak të lëvizjeve të mëdha të çmimeve në tregjet ndërkombëtare”.