Çka thuhet për Kosovën në konkluzionet e Këshillit të BE-së për zgjerim?

Këshilli i Bashkimit Europian ka publikuar përfundimet e aprovuara lidhur me zgjerimin për secilin nga shtetet që synojnë t’i bashkohet bllokut.

Në 13 konkluzione për Kosovën, Këshilli ka folur për reformën zgjedhore, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, tensionet në veri të vendit, marrëdhëniet dhe e dialogun Kosovë-Serbi, sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, Dhomat e Specializuara, qëndrimin e Kosovës ndaj Rusisë etj.

Këshilli ka mirëpritur përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës drejt rrugës së saj europiane dhe reformat përkatëse e po ashtu liberalizimin e vizave nga 1 janari 2024.

Kosova, sipas këtyre përfundimeve, ka bërë përparim të rëndësishëm në reformën zgjedhore, që adreson rekomandimet e kahershme të misioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së. Këshilli inkurajon Kosovën që të zbatojë legjislacionin e ri përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.

Por, përparim të kufizuar, Këshilli vlerëson të ketë pasur në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe bën thirrje për përmirësim të zbatimit të mjeteve ekzistuese për të mbrojtur integritetin, pavarësinë ë efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe të vazhdojë më tej reformën e administratës publike.

BE rikujtoi se është e gatshme të heqë masat e vendosura nëse ka përparim të përmbushjes së kërkesave të BE-së. Këto masa, BE thotë se i ka vendosur për shkak të mungesës së veprimeve vendimtare të Kosovës për të shtensionuar situatën në veri.

Për situatën në veri, Këshilli i BE-së është shprehur i thellësisht i shqetësuar.

“Disa lëvizje të njëanshme të Kosovës dhe Serbisë, si dhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës dhe bojkoti i tyre ndaj zgjedhjeve lokale të prillit në veri të Kosovës kanë rritur edhe më tej tensionet” – thuhet në njërin prej përfundimeve.

Këshilli ka dënuar ashpër aktet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj si dhe sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Zgjedhjet e reja lokale në veri duhet të mbahen sa më shpejt dhe serbët duhet të kthehen në institucionet që i kanë lënë, sipas Këshillit. Ky kthim duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia, thuhet më tej.

Këshilli pret që Kosova të angazhohet në dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Moszbatimi i marrëveshjes dhe aneksit të saj të miratuara në shkurt dhe mars mes dy vendeve, shihet me keqardhje nga Këshilli i Bashkimit Europian, i cili kërkon zbatimin e tyre.

“Kosova duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit pa vonesa të mëtejshme. Këshilli përsërit shqetësimin e tij për mungesën e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të kufizuar në veri të Kosovës” – thuhet ndër të tjera në këtë dokument.

Në pikën e fundit për Kosovën, Këshilli ka përgëzuar dënimin e fuqishëm të Kosovës ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, orientimin e saj të qartë gjeostrategjik, si dhe përafrimin e saj vullnetar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe zbatimin e vazhdueshëm të kufijve të BE-së.

Këshilli i BE-së ka dhënë përfundimet e saj edhe për 9 shtete të tjera, Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Turqinë, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Përveç Kosovës dhe Gjeorgjisë që janë kandidate potenciale për anëtarësim në BE, shtetet e tjera të lartpërmendura janë vende kandidate.