Çka thotë raporti i autopsisë së tre mjekëve kosovarë për vdekjen e Astrit Deharit?

Dy ditë pasi ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me urdhër të prokurorit të rastit, Metush Biraj, ishte kryer autopsia.

Autopsia është bërë në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, më 7 nëntor të vitit 2016, ndërsa ekzaminimet ishin kryer nga tre mjekoligjorë, Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi.

KALLXO.com posedon raportin e autopsisë të kryer dhe të nënshkruar në fund nga këta tre mjekoligjorë.

Gjatë autopsisë së trupit të Astrit Deharit prezent kanë qenë edhe një përfaqësues i EULEX-it, dy specializantë, Ditor Haliti e Valon Hyseni, një  histologe, Vesa Kotorri, toksitologia Flutura Goga, Driton Krasniqi, teknikët e autopsisë Gani Hyseni e Isak Gara dhe Bedri Rexha, i cili kishte kryer fotografimin mjekoligjor.

Në raportin e autopsisë, tre mjekoligjorët kanë treguar se Astrit Dehari është dërguar pa shenja jete, pa vetëdije, pa puls dhe pa tension të lartë të gjakut (TA).

Gjithashtu, në raportin e autopsisë së tre mjekëve tregohen edhe detaje të dëmtimeve të  jashtme të trupit të Astrit Deharit pas pranimit të tij në IML.

Tre mjekoligjorët Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi kishin përshkruar në raportin e autopsisë edhe për gërvishtjet të cilat gjendeshin në trupin e Astrit Deharit.

“Në anën e djathtë të qafës nën nofullën e poshtme rreth 4 centimetra mbi klavikulën e djathtë paraqiten gërvishtje lëkurore gjatësore pothuajse paralele njëra me tjetrën. Edhe në pjesën e poshtme të dorës së majtë ndodhen tri gërvishtje në formë gjatësore”, ishin disa nga gërvishtjet e përmendura nga mjekët.

Madje në raportin e mjekëve kosovarë përmendet edhe se brinja e katërt e anës së majtë të kraharorit së Astrit Deharit është paraqitur si e thyer.

Flamur Blakaj, Naim Haliti e Musa Gashi kishin konstatuar se:

“1. Vdekja e Astrit Deharit ka ardhur si pasojë e asfiksisë mekanike nga mbyllja i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes nga mjeti me konsistencë solide (të fortë).

2. Mekanizmi i vdekjes mund të shpjegohet me ndaljen reflektore të punës së zemrës, mbase edhe i shoqëruar me ngacmimin autonom të pleksusit nervor laringeal- spazëm laringeale.

3. Dëmtimet e përshkruara në pikën 1 dhe 2, janë dëmtime të vetë shkaktuara “hezituese” të cilat kanë qenë të shoqëruara me gjakderdhje të jashtme, po të cilat nuk kanë çuar në shok hemorragjik.

4. Analizat toksikologjike të kryera deri tani, si gjatë autopsisë ashtu edhe pas saj rezultojnë negative për barna dhe droga”.

Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij më 5 nëntor të vitit 2016. Ai po mbahej në paraburgim si i dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit, i kryer në gusht të atij viti.

Pas autopsisë, më 18 nëntor, në një konferencë për media, ish- kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, tani prokurori special, Sylë Hoxha, kishte thënë se Astrit Dehari kishte kryer vetëvrasje ndërsa shkaqet e vdekjes ishin asfiksia, problemet me organet e frymëmarrjes.

Por tri vjet më vonë, një version tjetër është bërë i ditur nga ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore e bërë në Lozanë të Zvicrës.

Në këtë ekspertizë nuk është përjashtuar mundësia që Dehari të jetë vrarë.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh”, thuhet në ekspertizën e ekspertëve zviceranë.

“Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vërejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmban pak ose shumë pak ADN. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Ekipet tona dhe laboratorët tona janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet tutje në ekspertizën zvicerane.

“Ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. Astrit Dehari. Në fakt, hipoteza e një vetëvrasjeje e Astrit Deharit përmes mjeteve të caktuara nga mjekët ligjorë, duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh. Nga ajo çfarë u tha, ne vlerësojmë se një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së z. Astrit DEHARI. Ekipet tona dhe laboratorët tanë janë në dispozicion të hetuesve të ngarkuar me çështjen”, thuhet ndër të tjera në raportin zviceran.

Avokati i familjes, Tomë Gashi, ka thënë se Astrit Dehari është vrarë pasi ka qenë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, teksa Prokuroria Themelore në Prizren ka paralajmëruar se do t’i vazhdojë hetimet lidhur me rastin.

Kthehet Nga Austria Ekspertiza e Videos në Rastin ‘Dehari’

Gashi: Do ta Studiojmë Raportin e Autopsisë së Deharit

Kthehet Nga Austria Ekspertiza e Videos në Rastin ‘Dehari’