Raporti i autopsisë së Astrit Deharit | Foto: KALLXO.com

Gashi: Do ta Studiojmë Raportin e Autopsisë së Deharit

Pasi në Prokurorinë e Shtetit pranoi raportin e autopsisë së Astrit Deharit të hartuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tha se ky raport do të studiohet.

“Të dhënat duhet t’i studiojmë, t’i shohim dhe ta shohim cilat janë shkaqet që i ka gjetë mjekësia ligjore,” tha Gashi.

Ai bëri të ditur se ende ka punë për të gjetur arsyet e vdekjes së Deharit.

“Ka edhe shumë punë tjera për t’u bërë për të ardhë në përfundim e cila ka qenë arsyeja që ka vdekë Astrit Dehari në duart e shtetit, si i paraburgosur,” tha Gashi.

Ai u ankua se ekspertët e pavarur dhe ata të angazhuar nga familja Dehari nuk kanë pranuar gjithë materialin e kërkuar.

“Do të kërkojmë nga prokurori dhe organet tjera që të na japin materialin që ekspertët e angazhuar nga familja Dehari t’i kenë provat e njëjta dhe nëse vijnë me rezultate tjera, do të jetë i pranueshëm nga familja Dehari, pa marrë parasysh çfarë epilogu do të ketë raporti i ekspertëve të pavarur dhe ai i prokurorisë,” tha Gashi.

Ai tregoi edhe cilat materiale nuk i kanë ekspertët e pavarur.

“Edhe në ditën e 13 të vdekjes, prokurori i rastit në Prizren dhe kryeprokurori Sylë Hoxha nuk kanë lejuar që ekspertët e pavarur nga Shqipëria dhe Anglia ta kenë në dispozicion materialin që të vinin në një përfundim rreth raportit të autopsisë. Ata nuk na kanë dhënë as fotografitë që janë marrë gjatë obduksionit, as fotografitë nga dhoma e Astrit Deharit kështu që ne, në konsultim me ta, do t’ju njoftojmë për shkaqet e vdekjes së tij,” tha Gashi.

Kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha pritet së shpejti në një konferencë për gazetarë të fklasë në lidhje me raportin e autopsisë së Astrit Deharit.

Sot Prokuroria e Shtetit njoftoi se raporti i autopsisë nga Instituti i Mjekësiosë Ligjore i është dorëzuar Prokurorisë Themelore në Prizren.

Prokuroria Pranon Raportin e Autopsisë së Deharit