Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Çka gjeti Njësiti i Antidrogës në aksionin e djeshëm në Prizren?

Një aksion i Policisë së Kosovës, saktësisht i antidrogës, është zhvilluar dje në Prizren.

Të arrestuar në këtë rast mbetën katër të dyshuar për posedim të narkotikëve, ani pse tek ta u gjetën edhe armë e fishekë të ndryshëm.

Sipas PK-së, në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të arrestuarve janë gjetur dhe sekuestruar 1.18 gramë marihuanë, një peshore digjitale, 22 fishekë kalibrash të ndryshëm, një pushkë gjuetie, disa telefona, laptop, një motoçikletë si dhe disa prova të tjera që lidhen me rastin.

Të dyshuarit, sipas policisë me vendim të prokurorit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

KALLXO.com dje raportoi se në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kandidati për Asamble Komunale në Prizren nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkodran Pulaj.

Kjo është konfirmuar për KALLXO.com nga ana e drejtorit të Policisë në Rajonin e Prizrenit, Faton Alija.

“Po janë katër të arrestuar, është edhe Shkodran Pulaj” – ka thënë Alija për KALLXO.com.

Në një postim të vjetër në Facebookun e Shkodran Pulajt, ai kishte konfirmuar se kishte dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Nga sot së bashku më gjithë kryesin e nëndegës se Bajram Currit në Prizren japim dorëheqje të pa revokueshëm nga subjekti politik AAK dega në Prizren” – kishte thënë ai.

Lidhur me rastin KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

“Me sa u informuam nga Dega e Aleancës në Prizren, personi në fjalë që qenka apostrofuar si zyrtar i AAK-së, nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk është pjesë e asnjë strukture apo forumi të degës” – ka thënë ai.

Tutje Xhemaili tha se sipas informatave që kanë pranuar nga Dega e Aleancës në Prizren, personi në fjalë ka qenë vetëm kandidat për asamble komunale në 2021.

Ndonëse zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili thotë se Pulaj s’ka pasur pozitë brenda AAK-së, vet Pulaj, para disa muajve, përmes një postimi në Facebook kishte shkruar se “ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Bajram Currit në Prizren”.

 

Ish-kandidati i AAK-së për asamblist në Prizren arrestohet nga Njësiti Antidrogë