Tubimi për solidarizim me popullin ukrainas, Foto: KALLXO.com

Çka duhet të bëjë Kosova që të njihet nga Ukraina?

Ukraina është shteti i cili gjendet në luftë tash e disa muaj. Ushtria e këtij vendi vazhdimisht po i kundërvihet ushtrisë ruse, për të cilën raportohet se po kryen krime e po bombardon Ukrainën me qëllim të pushtimit të saj.

Në një gjendje pothuajse të njëjtë me Ukrainën ishte edhe Kosova para 23 viteve.

Mirëpo, ndonëse në periudha të ndryshme e në situata gati të njëjta, Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Se çka duhet të bëjë Kosova që të njihet nga shteti ukrainas ka treguar historiani dhe eksperti i Rusisë, Mark Galeotti.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ai tha se në shumë raste Kosova dhe Ukraina janë në pozicione jashtëzakonisht të ngjashme, prandaj edhe mendon se diçka po ndryshon në drejtimin e njohjes.

“Sigurisht që po dëgjoj se ka vende të tjera evropiane që po e inkurajojnë gjithashtu Ukrainën ta bëjë këtë. Pra, mendoj se do të ndodhë. Por, ata kanë momentalisht nja 2-3 gjëra më me prioritet” – tha Galeotti.

Ai tha se Rusia mendon që Ukraina nuk është një shtet i vërtetë, edhe pse është e qartë që shumë rusë kanë mendime të ndryshme.

“Kjo është arsyeja pse ai (presidenti rus Vladimir Putin) mendoi se mund ta pushtonte lehtësisht dhe pse ai mendonte se gjërat do të shkonin kaq lehtë, dhe mendonte se ukrainasit do të shpërbëheshin pas shtytjes së parë” – shprehet Galeotti.

Ai tutje tha se një perspektivë të njëjtë e ka edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën.

“Ky nocioni se Kosova nuk është një shtet legjitim, që është vetëm një rastësi e historisë që aktualisht po e prezanton veten si të pavarur, por është fati i tij jetësor që ta kthejë nën kontroll…  dhe në këtë proces i gjithë nocioni i shtetit të tij duhet të zhvlerësohet dhe zhvlerësohet, pra këto janë paralelet. Dhe unë mendoj se gjithnjë e më shumë njerëz në Kiev po e kuptojnë këtë gjë” – tha ai.

Tutje Galeotti foli edhe për rendin kombëtar në Rusi. Ai tha se Putini sapo i mbushi 70 vjet, duke thënë se nuk dëshiron të lërë të kuptohet që ai do të vdesë menjëherë. Por, sipas Galeottit, Putini e di që ai, kolegët dhe bashkëpunëtoret e tij janë të gjithë në fund të rrugëtimit të tyre.

“Por, nëse e analizojmë gjeneratën e re të liderëve të politikës të cilët po presin gatitu, ata i kanë nga 50-vjeç, apo janë në fillim të viteve te 60-ta, dhe këta nuk janë fare burra të mirë. Këta janë njerëz pragmatikë, të pamëshirshëm dhe kleptokratë” – tha Galeotti.

Sipas tij, e mira e kësaj është që Perëndimi është mësuar të merret me sojin e këtyre njerëzve, ngase merret me njerëz të tillë vazhdimisht. Ai tha se mendon që këta janë njerëzit që sapo të vijnë në pushtet do të jenë të gatshëm të bëjnë një marrëveshje me Perëndimin.

“Kjo do të ndodhte sepse është e thjeshtë, këtyre njerëzve u pëlqejnë kohët e dikurshme, jo shumë të largëta, kur mund të vidhnin brenda shtetit të tyre e pastaj të shkonin në shtete të tjera jashtë vendit për t’i shpenzuar ato para” – shprehet Galeotti.

Ai tha se mendon që në të njëjtën kohë, duhet të shqetësohemi edhe për qytetarët e “thjeshtë” në Rusi, të cilët, sipas tij, në njërën anë kanë rënë pre e njerëzve që kontrollojnë të gjithë mekanizmin e propagandës së Putinit dhe në anën tjetër, ata mendojnë që sanksionet vetëm sa e përforcojnë këtë mendim dhe perspektivë.

“Unë mendoj që duhet të gjenden mënyra për të arritur te qytetarët e thjeshtë në Rusi, dhe kështu të ngushtohet rrethi i njerëzve të Putinit” – tha Galeotti.

Tutje ai tha se një gjë për të cilën flet me shumë pasion kur është fjala për Ukrainën, është se presidenti Zelensky flet rusisht ngase ai vjen nga komuniteti që flet rusisht.

“Kohë pas kohe ai i drejtohet popullatës së thjeshtë ruse në adresimet e tij, përkundër që propaganda shtetërore ruse është munduar që ta ndalojë përçimin e mesazhit të tij, ai disi e kalon këtë barrierë dhe mbërrin te qytetarët rusë” – shprehet Galeotti.

Ai tutje tha se Zelensky e bën këtë qoftë përmes thirrjeve të drejtuara ushtarëve rusë që të dorëzohen në fushëbetejë dhe që pas dorëzimit do të kujdesen për ta.

Sipas Galeottit, Zelensky e kupton që duhet qasur direkt te qytetarët, prandaj ai tha se mendon që kjo është inkurajuese, sepse sipas tij rusët pashmangshëm do të pësojnë humbje ushtarake në Ukrainë në një moment të caktuar.