Cili ishte qëllimi i lajmeve të rreme për KFOR-in në Kosovë?
Alban Zeneli, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka bërë një analizë rreth dezinformatave që lidhen me sigurinë e vendit.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se dezinformatat që lidhen me sigurinë, qëllim kryesor kanë ndarjen shoqërore, lajmi për KFOR-in ka qëllim rritjen e pakënaqësisë së shqiptarëve.
“Motivet mund të jenë prej më të ndryshmeve, fillimisht mund të jenë edhe ato që lidhen me financat, që përfitojnë portalet online ndërsa kjo përkthehet edhe në reklama pastaj. Ndërsa qëllimin kryesor, dezinformatat që lidhen me sigurinë e kanë ndarjen shoqërore. Kosova që nga paslufta ka qenë fragjile në ndarjet e veta etnike dhe këto ndarje të dezinformatave kanë për qëllim të nxisë etnitë ndaj njëra-tjetrës. Dezinformata për KFOR-in ka qëllim ngritjen e pakënaqësisë së shtetasve të Kosovës ndaj KFOR-it” – tha Zeneli.
Tutje ai ka shtuar se nëse shohim se nga po vijnë këto dezinformata, në kuptimin etnik të ndarjes së Kosovës, “shohim se këto dy etni (shqiptar dhe serb), informohen prej mediave të ndryshme me përmbajtje krejt të ndryshme prej njëra-tjetrës dhe narrativa krejtësisht të ndryshe”.
“Temat më për qejfi të dezinformuesve janë temat rreth sigurisë, ekonomia dhe politika lokale. Kur i sheh këto e sheh që qëllimi tash nuk është veç i përfitimit material i dezinformuesve por edhe polarizimi shoqëror që mund të sjellë edhe efekte të tjera shoqërore” – thotë Zeneli.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, muaj më parë ka publikuar raportin për dezinformatat “Vorbulla e rrenave”, i cili përshkruan jo vetëm dezinformatat, por edhe narrativat e tij.
I financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, raporti ka ‘hartuar’ dezinformimin në Kosovë duke ofruar njohuri për dinamikën e dezinformimit dhe pasojat që ai ka te qytetarët e Kosovës në fusha të ndryshme.
Këtu mund ta lexoni raportin e plotë ‘“Vorbulla e rrenave”.