Certifikohet kandidatja për kryetare të Pejës nga Partia Balliste, PDK-ja pa kandidat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka certifikuar Drena Podrimqaku, kandidate për kryetare të Pejës nga Partia Balliste.

Podrimqaku është propozuar si kandidate pasi kandidati i këtij subjekti i cili ka kandiduar për kryetar të Pejës ka vdekur më 7 shtator.

“Kandidati për kryetar të Pejës nga Partia Balliste ka ndërruar jetë dhe ashtu siç është vendos ka pas deri sot kohë ta dërgojnë kandidatin zëvendësues. E njëjta mundësi iu është dhënë edhe PDK-së për kandidatin për kryetar komune në komunën e Pejës”, tha Ylli Buleshkaj nga zyra për certifikim e KQZ-së.

Kandidati për kryetar të Pejës nga Partia Demokratike, Astrit Ademaj, ishte vrarë më 8 shtaor në afërsi të shkollës Ekonomike në Pejë.

Sipas Buleshkaj propozim kanë pranuar vetëm nga Partia Balliste.

“Kemi pranu aplikacion vetëm nga Partia Balliste. I ka kryer gjitha vlerësimet edhe ne filterin e drejtësisë dhe rekomandojmë për certifikim, Drena Podrimqaku e cila është edhe kandidate për asamble të Pejës”, tha ai.

Gjithashtu është decertifikuar Zharko Dejanoviq, nga Lista Serbe, për të cilin kanë marr njoftim nga KGjK-ja, i cili sipas Buleshkaj, ka një vendim të formës së prerë.

PDK nuk do të ketë kandidat për kryetar të Pejës