Konjufca: Valdete Daka është përbetuar për eliminimin e Albin Kurtit nga gara zgjedhore

Ish- Ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me zhvillimet të cilat ndodhën në mbledhjen e Komisionit Qendor të Zgjedhjeve në lidhje me certifikimin e të gjithë kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Konjufca në një postim në Facebook ka thënë se Valdete Daka kryetarja e KQZ-së, është ‘koka e planit për stopimin e VV-së dhe Albinit”.

“Sot u pa qartë për çka e pata fjalën pardje kur thashë që Valdete Daka është koka e planit për stopimin e VV-së dhe të Albinit. I ftoj tash të gjithë ata që dje i thonin VV-së “të respektohet ligjshmëria”, këtë parim ta thonë edhe një herë e me zë të lartë tash që Zyra e Pavarur e Certifikimit i dha të drejtë Albin Kurtit.Nëse bordi politik i KQZ-së i mbivendoset Zyres profesionale të Certifikimit, kjo përfundimisht e fundos pavarësinë e këtij institucioni bashkë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut”, ka shkruar Konjufca.

Ai në fund të postimit të tij ka thënë se drejtuesja e KQZ-së është përbetuar të eliminojë Albin Kurtin nga gara zgjedhore e 14 shkurtit.

“Të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të determinohen nga një forum politik, drejtuesja e të cilit, siç po tregon me sjelljen e saj, është përbetuar për eliminimin e Albin Kurtit nga gara e barabartë zgjedhore”, shkruajti Konjufca.

Në orën 17:30 pritet që anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor të vendosin ose jo për certifikimin e të gjithë kandidatëve për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ylli Buleshkaj, drejtor i zyrës për certifikim të partive politike në mbledhjen e sotme të KQZ-së ka rekomanduar që të certifikohen të gjithë kandidatët.

Ai tha që për shkak të konfuzitetit me pikën që të certifikohen të gjithë kandidatët.

“Kemi kërkuar shkresa nga institucionet e ndryshme për të na ndihmuar në vendimmarrje, disa na kanë ndihmu disa na kanë konfuzu, ajo çka vlen të theksohet është që zyra nuk ka arrit me zbatu plotësisht në bazë të shkronjës q të nenit 29 për shkak të interpretimeve të ndryshme, ne rekomandojnë certifikimin, pastaj palët mund ti drejtohen institucioneve për ankesa”, shtoi ai.

Shtyhet për dy orë votimi për certifikimin e të gjithë kandidatëve