Polemika mes Dakas dhe Kurteshit lidhur me çertifikimin e kandidatëve për deputetë

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka dhe anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi kanë pasur një debat në lidhje me ligjet dhe nenet për çertifikimin e kandidatëve për zgjedhje.

“Nuk jam i interesuar ta luaj rolin e administratorit apo referentit. Unë këtu sa jam, sa dëgjova këtu, nuk dëgjova diçka te re që çon në mungesë te vendimmarrjes. Zyra për regjistrim ka bërë një rekomandim, ky rekomandim duhet të dalë në votim. Urdhëroni votoni. Unë propozoj që rekomandimi i Zyrës të dalë në votim”, tha Kurteshi.

Ai tutje tha edhe se ka një tendencë të kryetares së KQZ-së dhe dy partive politike LDK dhe PDK për eliminim politik.

“Nëse ky është ligji por prapë unë po du me thënë, presioni i hapur mbi zyrën për regjistrimin e partive politike, nga znj. Daka nga përfaqësuesi i LDK-së dhe PDK-së për selektim negativ të listave të kandidatëve edhe ne dalëngadalë po rrëshqasim në binarët e krijimit të selektimit diskriminues të partive politike të listave të kandidatëve, zyra për regjistrimin e partive politike e ka bërë një rekomandim, meqenëse don me pengu në zyrën ne edhe njëherë kërkojmë që rekomandimi të dal në votim dhe të votohet. Unë po e shoh hapur tendencën e selektimit negativ të secilit veç e veç”, tha Kurteshi.

Në këtë pjesë, Kurteshi u ndërpre nga Daka e cila foli për ligjin dhe nenin që flet për procedurën e rekomandimit për çertifikimin e kandidatëve.

“Vjen puna me të ndërpre, qe ku është ligji neni 26 paragrafi 1, zyra bën rekomandim të shkruar KQZ për apo kundër të certifikimit të secilës listë  kandidatëve të pranuar jo më shumë se pesë ditë pune pas afatit për dorëzim të listave”, iu përgjigj Daka.

Kurteshi tha se Daka po e lexon nenin “që po i  konvenon” dhe e akuzoi atë se ka tendencë për mënjanim të kandidatëve.

“Selektimi negativ selektues që e bën kryetarja e KQZ me LDK dhe PDK dhe përpjekja për eliminim politik, të partive të caktuara dhe të listave të caktuara. Ne e kuptojmë rrethanat politike e kuptojmë tendencën e kuptojmë çështjen që është procesin zgjedhor preferencat e qytetarëve mirëpo kjo është tendence e vendeve autoritare për mënjanimin e kandidatëve sidomos kandidatëve të votuar më së shumti dhe me besueshmërinë e qytetarëve, kjo është tendenca dhe ne tash po dalim aty sigurisht kjo po shihet”, tha Kurteshi.

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani tha se Drejtori i Zyrës për regjistrim dhe certifikim të partive politike ka bërë atentat mbi demokracinë.

“Ti ke bërë atentat mbi demokracinë dhe sundimin e Ligjit në Kosove. Sot, ti z.Buleshkaj ke vendosur që të veprosh mbi simpatitë e tua. Si u bo qe brenda 24 orë e ke ndryshu interpretimin për certifikim e listave. Cila është arsyeja që ke ndërtu qëndrim kaq shpejtë? A je kërcënuar, a je shantazhuar? A te është ofruar ryshfet? Unë besoj qe ti personalisht nuk e ke sjellë këtë rekomandim. Kjo është sulm mbi demokracinë e republikën. Mijëra njerëz kanë vdekur për demokracinë. Më këtë veprim po ia bënë shërbimin ma te mirë armiqve te Kosovës. Z.Buleshkaj, a jeni i vetëdijshëm për këtë çka e ke bo sot? “, tha ai.

Edhe Buleshkaj iu përgjigj Elshanit.

“A je ka më bënë presion me ndërru rekomandimin a? “, kërkoi sqarim Buleshkaj.

Tendencë përmendi edhe anëtari tjetër i LVV-së Alim Rama.

“Jam i shqetësuar nga kërcënimet e z. Hamiti drejtorit të zyrës dhe ndërhyrjen në punën e zyrës kam ndjenjën që edhe ju po ndërhyni deri diku. Nuk na takon ne të luajmë rolin e referentit ajo është puna e zyrës, kemi një rekomandim dhe praktika ka qenë edhe më herët që për shkak të votohen në paketë. Unë jam konsultuar me anëtarët që kanë qenë më herët dhe janë votuar në paketë”, tha Alim Rama anëtar i LVV-së në KQZ.

Mbledhja e cila po mbahet tani e KQZ-së ka për qëllim votimin për certifikimin e kandidatëve për zgjedhjet të cilat pritet të mbahen më 14 shkurt.