Foto: MAShT

Bytyqi: Duhet të ndryshohet qasja e mësimdhënësve dhe prindërve për arsim më cilësor

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi gjatë prezantimit “Të arriturat në sektorin e arsimit fillor në Kosovë 2010-2018 dhe synimet për të ardhmen”, tha se është e rëndësishme ndryshimi i qasjes së mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe të gjitha palëve të interesit për ta bërë arsimin prioritetin numër një në Kosovë.

Sipas një konference për media, Bytyqi me këtë rast falënderoi GIZ-in për angazhimin e jashtëzakonshëm, si një nga partnerët kryesor në reformat e nevojshme në sistemin arsimor, përmes përvojave dhe praktikave të mira të sistemit arsimor të Gjermanisë.

“MAShT në bashkëpunim me partnerët e saj ka punuar që arsimi në Kosovë të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe kualitativ. Gjermania na ka mbështetur në këtë drejtim, por ende kemi nevojë për përkrahjen e saj në hapat që na presin”, tha Bytyqi.

Në Konferencën ku u prezantuan të gjeturat në sektorin e arsimit në Kosovë brenda periudhës 2010-2018, të pranishëm ishin edhe Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit Parlamentar të Arsimit dhe David Oberhuber, drejtor i zyrës së GIZ-it në Kosovë.