BQK shpall konkurs për një anëtar joekzekutiv të bordit

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka shpallur konkurs për një pozitë të anëtarit joekzekutiv të bordit të BQK-së.

Sipas konkursit të publikuar, afati për aplikim është deri më 7 mars 2022, në orën 16:00.

Emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar nga data e emërimit.

Lista e kandidateve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës, i cili do të përzgjedh një individ.

Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti i Kosovës.

Kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë një CV me detaje dhe një letër motivuese përmes email adresës vijuese: [email protected] ose në dorë në zarf të mbyllur në arkivin e BQK-së, Rruga Garibaldi nr. 33 në Prishtinë, ose përmes postës në adresë të BQK-së: Banka Qendrore e Republikës se Kosovës (shënim: për pozitën e anëtarit joekzekutiv të Bordit të BQK-së), Rruga Garibaldi nr. 33,10000 Prishtinë, Kosovë.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bordi i Bankës Qendrore përbëhet nga Guvernatori dhe katër (4) anëtarë joekzekutivë, të cilët ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen e administrimit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore.

Banka Qendrore e Kosovës është institucion publik i pavarur. Objektivi kryesor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar si dhe një sistem efikas të pagesave.

BQK mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë.

Brenda kompetencave të përcaktuara me ligj, Banka Qendrore, anëtarët e organeve vendimmarrëse ose personeli i Bankës Qendrore, nuk do të marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër, duke përfshirë subjektet qeveritare.