Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Zelensky nënshkruan ujdi me Këshillin e Europës për themelimin e një Tribunali për Krime Lufte

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky e nënshkroi të mërkurën vonë një Marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e një Tribunali të posaçëm, që do të gjykonte zyrtarë të lartë përgjegjës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Tribunali do t’i ndjekë penalisht “krimet e agresionit” në lidhje me pushtimin dhe mund të gjykojë politikanë të lartë rusë – përfshirë presidentin Vladimir Putin.

“Çdo kriminel lufte duhet ta dijë se do të ketë drejtësi dhe kjo vlen edhe për Rusinë.” – tha Zelensky pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Strasburg me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës Alain Berset.

“Do të nevojitet guxim i madh politik dhe ligjor për t’u siguruar se çdo kriminel rus i luftës do të përballet me Drejtësinë – përfshirë Putinin.” – tha Zelensky në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës pas nënshkrimit të Marrëveshjes.

“Duhet ta dërgojmë një mesazh të qartë: agresioni çon në ndëshkim. Dhe, këtë duhet ta bëjmë së bashku, si Evropë.” – shtoi ai më vonë në X.

Mandati i Tribunalit do të jetë ndjekja penale e drejtuesve të lartë politik dhe ushtarak për krimin e agresionit kundër Ukrainës – tha Këshilli i Evropës.

“Kjo vepër penale i referohet vendimit për të përdorur forcën e armatosur kundër një shteti tjetër, duke e shkelur Kartën e OKB-së.” – tha Këshilli.

Shtetas të Bjellorusisë apo Koresë së Veriut mund të ndiqen gjithashtu penalisht, nëse provohet se kanë luajtur rol të rëndësishëm në krimin e agresionit kundër Ukrainës – shtoi ai.

Berset theksoi se e drejta ndërkombëtare “duhet të zbatohet për të gjithë, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta”.

Ai tha se Këshilli i Evropës shpreson se Tribunali do ta nisë punën vitin e ardhshëm. Nuk është vendosur ende se ku do ta ketë Selinë Tribunali.

Kjo është hera e parë që një Tribunal i tillë themelohet nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, organit më të lartë për të drejtat e njeriut në kontinent.

Këshilli i Evropës, me 46 anëtarë, nuk është pjesë e BE-së dhe përfshin shtete evropiane të rëndësishme jashtë BE-së, si: Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina./REL