Ilustrim

Borxhi i rrymës në veri, Kosova dhe Serbia mund të përfundojnë në Arbitrazh

Për 20 vite, qytetarët në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nuk kanë paguar faturat e energjisë elektrike.

Për të gjetur një zgjidhje, së fundmi pala kosovare dhe ajo serbe morën zotime për zbatimin e marrëveshjeve të energjisë të arritura në Brkusel në vitin 2013.

Por, as tani nuk dihet se çfarë do të ndodh me borxhin e akumuluar ndër vite për rrymën e shpenzuar në veri të Kosovës.

Sot gjatë ditës, Zyra e Rregullatorit të Energjisë licencoi për pesë vite kompaninë “Drustvo Elektrosever” për operim në veri.

Ymer Fejzullahu, kryesues i Bordit të ZRrE-së tha se për borxhet e rrymës nga qytetarët nuk dihet ende se si të veprohet.

“Kjo çështje është diskutuar por ende nuk është vendim konkret sesi do të veprohet tutje. Në parim, domosdoshmërish do të duhej”, tha ai të premten në konferencë për media.

Tutje, ai tha se Kosova dhe Serbia mund të përfundojnë në Arbitrazh, nëse nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje për borxhet e rrymës në veri.

“Ne duhet me ritheksu, përveç energjisë që e kemi çu në veri, ne kemi pas edhe shfrytëzimin e asteteve të transmisionit për një kohë të gjatë, edhe në bazë të marrëveshjes së energjisë të vitit 2013, aty është e paraparë që në rast se KOST-i dhe EMS i Serbisë nuk gjejnë mirëkuptim për borxhet e pretenduara të ndërsjella, atëherë mund të shkojnë në procedurë të arbitrazhit”, tha ai.

“Aty është paraparë në marrëveshje. Ne sot i kemi diskutuar disa prej pikave të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, që ka të bëjë me aktivitetet e licencimit”, deklaroi ai.