Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: Serbët të kthehen në institucione, Kosova të fillojë negociatat për Asociacionin

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Jospeh Borrell ka zhvilluar sot takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Borrell në këto takime ka theksuar se serbët e Kosovës duhet të kthehen nëpër institucione dhe se Kosova duhet të  harmonizojë veprimet e saj në lidhje me targat dhe të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj në targa me marrëveshjet e kaluara të dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme. Këto detyrime, të marra në kuadër të dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”- ka thënë Borrell sipas një komunikate për media.

Ai ka shtuar se të dyja palë duhet të të përmbahen nga çdo veprim i një anshëm e retorikë nxitëse dhe se sipas Borrell, përshkallëzimi i shpejtë do të ketë pasoja të dëmshme.

“Me luftën në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një tjetër konflikt në tokën e saj. Është përgjegjësi e Palëve që ta shmangin këtë për të mirën e njerëzve të tyre, të cilët do të humbasin më shumë nëse sjellja aktuale përshkallëzuese nuk ndryshon. Pamundësia për të përmbushur detyrimet dhe përshkallëzimi i shpejtë do të ketë pasoja të dëmshme para së gjithash për njerëzit në Kosovë dhe Serbi, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”- është shprehur ai.

Gjithashtu, sipas komunikatës, Borrell ka theksuar se të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të respektojnë detyrimet e tyre në dialog, njoftoi shërbimi për shtyp i Bashkimit Evropian.

Më tej, në kumtesën e BE-së është thënë se qëllimi i takimeve ishte zgjidhja e sfidave kritike në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se bisedimet u fokusuan në ndihmën e palëve në gjetjen e zgjidhjeve urgjentisht të nevojshme për krizën aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren.

“Mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshme tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës dhe angazhimin në negociata kuptimplote, për atë që është me të vërtetë e rëndësishme për Kosovën, Serbinë, popullin e tyre dhe gjithë rajonin dhe ky është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy palëve, si një faktor kyç për përparimin në rrugën e tyre evropiane”- njoftohet të ketë thënë Borrell.

Takimet e Borrell me Kurtin dhe Vuçiq janë zhvilluar në margjina të Forumit të Paqes në Paris.

Në Forumin për Paqe në Paris, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Dje, në Pallatin Elysée, Osmani dhe Kurti janë pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Osmani në një postim tha se bashkë me Macron kanë diskutuar për partneritetin mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ndërsa, temë diskutimi mes Kurtit, Osmanit e Macron kanë qenë zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri ka theksuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman do të shërbejë si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.