Foto arkiv: Albin Kurti dhe Josep Borrell, Foto: ZKM

Borrell përfundon takimin me Kurtin

Ka përfunduar takimi bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borell, mëson KALLXO.com.

Borrell pas takimit me Kurtin, ka filluar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtyre takimeve të ndara, pritet takimi trepalësh.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ka konfirmuar mbrëmë se do të thërrasë një takim urgjent me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka thënë se është i nevojshëm de-përshkallëzimi i situatës dhe fillimi i avancimit drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”- shtoi Borrell.

Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.

Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dje ka thënë se nuk është optimist për takimin e 21 nëntorit në Bruksel, ku do të takohet me Kurtin.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës dje ka njoftuar se gjobitja e pronarëve të mjeteve që qarkullojnë në Kosovë me targa ilegale do të fillojë më 22 nëntor dhe jo më 21 nëntor, ashtu siç parashihej në vendimin e 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës.