Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes të kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq | Foto: BE
Borrell: Palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka njoftuar se ka filluar takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Borrell, së bashku me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kanë filluar takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq para disa minutave, përderisa gjatë ditës patën një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në një reagim në Twitter, Borrell ka thënë se palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte.
“Ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të Kosovës” – tha Borrell teksa njoftoi se takimi me Vuçiq ka filluar.
Në njoftimin që përfaqësuesi i BE-së pati për takimin me Kurtin, Borrell deklaroi se sot po synojnë të gjejnë zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm dhe rrugën përpara.
Borrell tha se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar.
“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm dhe një rrugë përpara. Ka nisur takimi me kryeministrin Albin Kurti” – ka shkruar Borrell në Twitter.
Bashkimi Evropian në një komunikatë për media ka njoftuar sot se Borrell do të pres në një seri takimesh për menaxhimin e krizave Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel.
Sipas njoftimit, diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të shtensionuar situatë në veri të Kosovës.
Pas takimeve, Borrell pritet të prononcohet për mediat.
Vuçiq ka deklaruar se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka kuptim të flas me Kurtin, ndërsa ka shtuar se takohet vetëm me Borrellin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi dje se nga Roma do të udhëtojë për në Bruksel. Ai ka thënë se do të insistojë për lirimin të 3 policëve të kidnapuar, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Këto takime po mbahen për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës.