Josep Borrell, Mirosllav Lajçak dhe Aleksandar Vuçiq. Screenshot: EU

Fillon takimi Borrell - Lajçak - Vuçiq

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell së bashku me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kanë filluar takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ky takim po mbahet pas atij që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati me Borrellin, për të cilin takim ky i fundit deklaroi se sot po synojnë të gjejnë zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm dhe rrugën përpara.

Borrell tha se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për shtensionimin e menjëhershëm dhe një rrugë përpara. Ka nisur takimi me kryeministrin Albin Kurti” – ka shkruar Borrell në Twitter.

Pamjet nga takimi i Vuçiq me Borrell e Lajçak mund t’i shihni KËTU.

Bashkimi Evropian në një komunikatë për media ka njoftuar sot se Borrell do të pres në një seri takimesh për menaxhimin e krizave Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel.

Sipas njoftimit, diskutimet do të fokusohen në gjetjen e mënyrave për të shtensionuar situatë në veri të Kosovës.

Pas takimeve, Borrell pritet të prononcohet për mediat.

Vuçiq ka deklaruar se nuk do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se nuk ka kuptim të flas me Kurtin, ndërsa ka shtuar se takohet vetëm me Borrellin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi dje se nga Roma do të udhëtojë për në Bruksel. Ai ka thënë se do të insistojë për lirimin të 3 policëve të kidnapuar, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Këto takime po mbahen për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës.

Që nga 26 maji, qytetarët serb janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve mbetën të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore mbetën edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar vazhdimisht gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Veturat e mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u dogjën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve u arrestuan disa persona, e një nga të arrestuarit gjatë këtyre ditëve po dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e po ashtu edhe për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Personi që po dyshohet për kryerje të këtyre veprave penale është Milun Milenkoviq i njohur si Llune, i cili u arrestua më 13 qershor 2023.

Vetëm një ditë pas arrestimit të tij, më 14 qershor Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Për këtë rast, autoritetet e Serbisë kanë qëndrim tjetër. Ata thonë se nuk ka pasur kidnapim, por arrestim pasi pretendojnë se policët gjendeshin në territor të Serbisë.

Tre policët e Kosovës të cilët gjenden në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë, më 19 qershor u vizituan nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor mori vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës.

Për lirimin e tyre, pati kërkesa të shumta nga ana e ndërkombëtarëve e edhe nga ana e udhëheqësve shtetëror të Kosovës.