Foto: Albin Kurti, Twitter

Borrell nesër takon ndaras Kurtin dhe Vuçiqin

Mëngjesin e nesërm në Paris, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin  e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kështu ka njoftuar në Twitter, Petar Stano, zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

“Kosovë/Serbi: Të vazhdojë Bashkimi Evropian përpjekjet për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën  për të de-përshkallëzuar, për të zbutur tensionet aktuale dhe për të avancuar në dialogun e lehtësuar nga BE, Josep Borrell do të takohen me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiq nesër në Paris në takime të ndara”, ka shkruar ai.

Një takim trilateral e ka paralajmëruar dje kryeministri, Albin Kurti para udhëtimit të tij në Paris ku po merr pjesë në Forumin për Paqe së bashku me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”- ka thënë Kurti përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook.

Shkuarjen në Paris e ka konfirmuar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediat serbe dje raportuan se presidenti serb Vuçiq ka thënë se do të jetë në Paris dhe do të takohet me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe me përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.