Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian Josep Borrell.

Borrell: Jemi të brengosur nga ngërçi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, pas takimeve që ka zhvilluar ai dhe shefat e shteteve të Gjermanisë, Francës e Italisë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se janë të brengosur nga ngërçi në procesin e normalizimit (të marrëdhënieve) mes Kosovës dhe Serbisë dhe sulmet e fundit terroriste të cilat tha se i kanë dënuar sërish në takimet që i mbajtën sot.

Shefi i diplomacisë europiane theksoi pengesë e madhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në mënyrë që t’u ndihmojmë dy palëve të arrijnë një marrëveshje, ne, të gjithë së bashku, u prezantuam një propozim europian, serioz dhe të balancuar për themelimin e Asociacionit të këtyre komunave dhe insistuam te palët që ta marrin këtë mundësi e cila do të ishte një rrugë e mirë përpara në procesin e normalizimit dhe ta shmangin një spirale të re të dhunës” – tha Borrell.

Ai tha se “fatkeqësisht palët nuk ishin të gatshme të pajtohen në këtë pa parakushte të cilat ishin të papranueshme nga pala tjetër”.

Josep Borrell shtoi se kërkojnë nga palët që të angazhohen seriozisht në procesin e normalizimit, i cili tha se mund të arrihet vetëm brenda kornizës së dialogut sepse, sipas tij, kjo është rruga e vetme e tyre përpara që të avancojnë në rrugën europiane.

Shefi i diplomacisë europiane shtoi se do të vazhdojnë të insistojnë dhe punojnë në mënyrë që ta ketë një marrëveshje.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe punojmë në mënyrë që ta kemi një marrëveshje, por sot fatkeqësisht kjo nuk ka qenë e mundur pa, siç e thashë, parakushtet nga secila palë të cilat ishin të papranueshme për palën tjetër” – tha ai.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës ka thënë se ishte Vuçiq ai që ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën.